Julen Lopetegui dhe numri i “mallkuar”… 14!

Ka njerëz që i cilësojnë peripecitë e jetës si një seri rastësish, pa asnjë lidhje logjike, ndërsa ka dhe të tjerë që i lidhin me një detaj të vetëm: numër, person, ngjarje, ose simbol. Ky i dyti është rasti i Julen Lopeteguit. 52-vjeçari u shkarkua nga stoli i Real Madrid pas humbjes së thellë kundër Barcelonës me rezultatin 5-1.

Ekipi madrilien kishte një ecuri negative prej kohësh, por humbja e thellë në klasiken e futbollit spanjoll vendosi përfundimisht fatin e tij në stolin e Kampionëve të Europës. Lopetegui ka një lidhje të çuditshme me numrin 14. Aventura e tij si trajner i ekipit “merengues” zgjati vetëm… 14 ndeshje. Dhjetë në kampionat, tre në Champions dhe një në finalen e Superkupës së Europës.

Gjatë karrierës si futbollist, Lopetegui u aktivizua për tre sezone si portier i Barcelonës, por pa arritur të lërë gjurmë, përkundrazi. Trajneri i katalanasve në atë periudhë ishte një farë Johan Krujf, i cili ka patur në fanellë numrin 14. Raportet mes lojtarit dhe trajnerit holandez ishin të këqija dhe Lopetegui përjetoi një periudhë të keqe, me vetëm 5 ndeshje të zhvilluara në 3 vite.

Për t’u rikthyer te Reali i Madridit. Pasi drejtoi ekipin për 14 ndeshje, ai e la Realin e Madridit në kuotën e… 14 pikëve, me 14 gola të shënuar dhe 14 të pësuar. Doni më? Emri i tij ka pesë germa (Julen), ndërsa mbiemri ka nëntë (Lopetegui). Po ti mbledhësh bashkë, del numri… 14 (5+9). Fati i Lopeteguit është i lidhur me këtë numër, për keq, pa dyshim, por me shpresën se një ditë do të arrijë të thyejë “mallkimin” e këtij numri të “urryer” për të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *