“Ju tregoj Xherardin trajner, në Shkup do provojmë mrekullinë!”

Flet mesfushori shqiptar i Shkupit, Muharem Bajrami

0

Anton Cicani

Dikur mund të ishte transferuar në Superligën shqiptare, pasi disa skuadra u interesuan, por më pas nuk u bë asgjë. E megjithatë, për Muharem Bajramin, fati u tregua edhe më bujar, pasi luan me fanellën e Shkupit në kampionatin maqedonas dhe të enjten në mbrëmje ndoshta përjetoi një moment magjik… Sepse, Shkupi zbriti në fushën e “Ibrox Stadium” përballë Rejnxhërsit, në turin e parë të Europa League, ku në stol ishte një farë Stiven Xherard, në debutim.

Skuadra maqedonase, por edhe shqiptare, luajti mjaft mirë ndaj skuadrës së Gllasgout, por në fund u mund 2-0. Një mision thuajse i pamundur përmbysja në Shkup pas një jave, edhe pse sigurisht për mesfushorin shqiptar, mrekullia mund të ndodhë… Në intervistën e dhënë për Sport Ekspres ai ka folur për emocione, por edhe për takimin me Stiven Xherardin, ikonën angleze.

Si ishte të luaje në një stadium legjendë me 50 mijë tifozë?

Shumë emocion! Mund të them që ishte diçka që nuk do ta harroj kurrë. Por, për asnjë moment nuk patëm frikë nga Rejnxhërs, edhe pse mbetet emër i madh i futbollit botëror dhe jo vetëm evropian.

Ndërkohë, përballë kishit Xherardin, që debutoi si trajner. Si ju duk?

Si futbollist, nuk ia vlen të them asgjë nga ato që të gjithë tashmë dinë. Një ish-futbollist i madh, por që tashmë ka nisur rrugën si trajner. Ovacione pafund në stadium për të…

Po si njeri si ju duk, nga pranë, a patët mundësi ta takonit?

Shumë normal, i thjeshtë. Na përgëzoi për lojën dhe na përshëndeti të gjithëve. Nuk e prisnim, në fakt. Një zotëri i vërtetë.

Sakaq, a ka shanse Shkupi në kthim?

Rejnxhërs është në rindërtim, pasi ka katër vite që ka dalë disi nga situata e keqe, ndaj kanë zgjedhur edhe Xherardin. Janë favoritët, por mrekullitë duhen besuar gjithmonë, sidomos sepse në Shkup do të kemi me vete edhe tifozët tanë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.