Joti: Ja pse ika nga Kukësi, Tomori gati për të pretenduar Superioren

Kristi Joti la Kukësin këtë verë për të nisur një eksperiencë të re tek skuadra e Tomorit. Verilindorët duket se kanë besim tek aftësitë e mesfushorit dhe vendosën që ta huazonin në Berat, pasi në të ardhmen kanë shpresë se 20-vjeçari do të rritet si futbollist dhe do të japë kontributin e tij për verilindorët.

Në një intervistë për “SportEkspres.com”, futbollisti i Tomorit tregon për aventurën e re që ka nisur. Kryeqytetasi beson se në të ardhmen mund të bëjë mirë dhe tek Kukësin, por e thekson se për të është e rëndësishëm që të bëjë sa më mirë të jetë e mundur me ekipin e beratit. Joti po ashti tregon dhe objektivin që mund të arrijë skuadër e tij.

Joti, nisni një aventure të re në Berat, si ka qene ky fillim i ri?

Siç dihet, fillimi është gjithnjë i vështirë, në çdo fushë. Edhe unë po punoj gradualisht që të përshtatem me këtë aventurë të re.

Çfarë ju shtyu që të linit Kukësin dhe të zgjidhnit Tomorin?

Sigurisht që për çdo lojtar është e rëndësishme që të ketë minuta në dispozicion. Edhe unë doja më shumë hapësira dhe për momentin tek Kukësi ishte një situatë delikate. Pasi bisedova dhe me drejtuesit e pamë më të arsyeshme që të kaloja në një ekip ku të kisha mundësi më shumë për t’u aktivizuar.

Trajneri nisi të tregonte besim tek ju edicionin e shkuar, më pas sërish gjërat ndryshuan, çfarë ndodhi?

Në fund të kampionatit më besoi shumë minuta në kampionat dhe i jam mirënjohës për këtë gjë. I njëjti besim u shfaq dhe gjatë përgatitjeve para ndeshjeve të Championsit ,por dihet se në ato ndeshje duhet shumë eksperiencë për të kaluar turin dhe kjo besoj se ishte arsyeja.

Kukësi ju ka huazuar, e shini veten sërish tek verilindorët në të ardhmen?

Kartoni im është në pronësi të Kukësit, por unë tani jam pjesë e Tomorit dhe do të jap më të mirën time për këtë skuadër, që të rritem profesionalisht dhe pse jo të rikthehem sërish tek Kukësi dhe të jap kontributin tim tek ajo skuadër. Por, e theksoj se jam shumë i fokusuar tek Tomori, për të bërë sa më mirë për këtë ekip.

Cilat janë objektivat e Jotit?

Jam i përqendruar tek Tomori, ku dua të jap maksimumin tim për të ndihmuar ekipin në realizimin e objektivave që ka. Të jetojmë të tashmen, pasi për të ardhmen është herët për të folur dhe nuk dihet se çfarë do të na rezervohet.

Si e shikoni Tomorin këtë edicion?

Jemi një ekip i ri në përbërje, ku ka disa lojtarë me eksperiencë dhe disa lojtarë të rinj, me dëshirë për të ecur para. mendoj se Tomori këtë vit është gati për të rivalizuar denjësisht për një vend në Superiore.

/JURGEN ZELA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *