Josa: Jam i zhgënjyer, Kupa vlen për financat dhe moralin

0

Olsi Avdiaj

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa ndihet i zhgënjyer nga gjendja aktuale e bardhebluve, por kërkon që ekipi të fitojë Kupën, për të qetësuar moralisht shpirtrat e trazuara. Dhe sigurisht të mbushë arkat e klubit me pjesëmarrjen në Europë. Në prag të sfidës me Besëlidhjen në Kukës, Josa flet për gjendjen e ekipit, pritshmëritë në këtë përballje si dhe përjetimet e tij për kampionatin. Numri një i bardhebluve, nuk harron që t’i thurrë elozhe kundërshtarit për arritjen e deritanishme. Gjithsesi, Josa  situatën e Tiranës, e konsideron alarmante dhe jashtë normales për 24 herë kampionët. Ja intervista e plotë me Mirel Josën…

-Profesor, në gjysmëfinalen e Kupës, përballë një ekipi si Besëlidhja, që ka eliminuar Partizanin dhe Flamurtarin?

-Unë e kam thënë edhe një javë më parë. Ne nuk ndihemi fare të favorizuar nga shorti, sepse përpara duhet të shohim se çfarë duhet të bëjmë ne në fushën e lojës. Deri tani, nuk kemi treguar asgjë. Kemi pasur shumë probleme. Edhe nëse do të ishim në pozita të tjera në kampionat, flas për më mirë, gjithsesi ndeshja me Besëlidhjen do të merrte një rëndësi të veçantë. Këtu nuk ka vend për ndonjë nënvlerësim edhe pse luajmë kundër Besëlidhjes së Kategorisë së Parë, që është pretendente në Superiore. Nuk duhet të harrojmë kurrsesi, se çfarë i ndodhi Partizanit dhe Flamurtarit.

-Tirana gjithmonë pretendente për çdo trofe, por këtë sezon mbetet vetëm Kupa?

-Është mirë që Tirana të marrë një trofe, por Tirana nuk duhet të luftojë vetëm për Kupën e Shqipërisë. Tirana duhet të luftojë për titullin dhe Kupën çdo kampionat. Për t’i fituar bashkë. Sezoni i Tiranës nuk shpëtohet nga ne, nëse fitojmë Kupën. Qoftë edhe nëse kalojmë në finale, apo fitojmë Kupën e shkojmë në Europë. Ka shumë probleme, të cilat na kanë sjellë në këtë gjendje.   

-Nga ana morale mund të qetësojë…

-Po mund të qetësojë shumë nga ana morale. Apo të kënaqë nga ana financiare apo të na mbyllë probleme të tjera. Mua si trajner, mua si person që jam, nuk është se më shpëton gjithçka. Problemet janë probleme dhe ato mbesin. Qoftë me fitimin e kupës dhe më pas Europën.

-Ndiej një lloj zhgënjimi në zërin tuaj?

-Normal që zhgënjim do të ketë. Nuk mund të fshihem pas gishtit në këtë moment. Zhgënjimi që kam unë është i madh, ndonëse këtë zhgënjim, duhet ta kthejmë në pretendime për të vazhduar në Kupë dhe kampionat. Atje ku gjërat nuk janë të thjeshta.

-Djemtë i shohim të mposhtur, pa ngrintë…

-Në momente të veçanta na ka munguar në kampionat. Nuk e di, por me Vllazninë kemi luajtur 20 minuta sikur e kishim të fituar ndeshjen, gjë që nuk rezultoi e tillë. Të them të vërtetën e thashë edhe pas takimit me shkodranët. Jam i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës si në një ndeshje, nga ndeshja në ndeshje.

 

Formacioni, Sise luan titullar  

Nuk do të ketë dyshe afrikane. Mirel Josa bën prapakthehu. Nuk do të luajë me dy afrikanët në sulm. Trajneri i bardhebluve ka vendosur që skuadra e tij të luajë me skemën e zakonshme 4-3-3, duke hedhur poshtë aludimet e së dielës për të luajtur me Edenë dhe Sisenë. Nga minuta e parë, skuadra do të jetë e përbërë nga këta futbollistë, duke filluar me Likën në portë, ndonëse Bakaj mund të marrë bonusin Kupë. Në mbrojtje luajnë Doka, Teqja, Turtulli, Hoxhallari. Akuah, Daja e Mervejl në qendër të mesfushës, ndërsa në sulm treshja Sise, Moise dhe Taku. Trajneri i bardhebluve provoi dje disa skema, madje edhe me Karabecin e gjithë zëvendësuesit, por në fund ka vendosur që të hedhë në fushën e lojës 11-shen e mësipërme që është edhe titullarja në kampionat.

 

Formacioni

Lika(Bakaj) – Doka, Teqja, Turtulli, Hoxhallari – Akua – Daja, Mervejl – Taku, Sise, Moise

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here