Josa i zhgënjyer: Nuk luhet me frikë në futboll

0

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa, ka qortuar hapur skuadrën e tij dhe lojtarë të veçantë, pas humbjes në Gjirokastër. Duke folur në Supersport, Josa evidenton frikën e skuadrës dhe daljen nga detyrat taktike, duke e tepruar me vendime individuale.

“Luajtëm mirë në pjesën e parë, e qarkulluam mirë topin, kishim epërsi dhe krijuam edhe raste për shënim. Në pjesën e dytë e nisëm shumë keq, humbnim lehtësisht topin dhe sidomos në krahun e majtë tonin bëmë gabime pa fund dhe aty niste ofensiva e Luftëtarit.

“Unë kam besim te skuadra, është shumë e rëndësishme që skuadra të mos humbiste unitetin dhe vendosmërinë që tregoi kundër Skënderbeut. Natyrisht, mungesat e dëmtimet bëjnë të vetën, por e përsërit që duhet më shumë përqendrim dhe problemi është se skuadra luan me frikë. Nuk luhet me frikë në futboll.

“Goli i parë i Luftëtarit na prishi komplet ekuilibrat dhe jam i pakënaqur nga fakti se skuadra nuk ruajti qetësinë gjatë ndeshjes. Nuk duhej të kalonim në veprime individuale, duheshin pasime, sepse kishim mundësi të barazonim ndeshjen nëse luanim më të organizuar.

“Hoxhallari bëri mirë në disa raste, por gaboi në disa raste, sidomos në fundin e lojës, duke e tepruar me mbajtjen e topit.

“Ede ishte i izoluar në sulm, lojtarët e krahut Mojse e Kërçiku nuk ishin në gjendjen optimale, por jam i shqetësuar më shumë me fillimin e pjesës së dytë. Moise, në mënyrë të pakuptimtë, e kthente çdo top pas, edhe pa pasur asnjë presion, duke humbur disa topa që krijonin sulme për kundërshtarin. Edhe Ede në disa momente duhej ta kontrollonte shumë më mirë topin dhe të pasonte më pas për mesfushorët që vinin në ndihmë të tij”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here