Josa i përgjigjet Dajës: E la Tiranën në autostradë të prishur

0

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa, nuk e fsheh kënaqësinë për fitoren e thjeshtë kundër Besëlidhjes, duke lavdëruar skuadrën për menaxhimin e mirë të ndeshjes, ndaj një rivali dinjitoz. Tani trajneri bardheblu mendon vetëm për kampionatin, ndërsa i përgjigjet edhe Dajës, që deklaroi se e la Tiranën në garë për titull.

Në mikrofonin e Supersportit, trajneri i bardhebluve deklaroi: “Nuk kishim ndërtuar ndonjë strategji të veçantë. Morëm një barazim në vajtje dhe na duhej një fitore sot dhe na duhej qetësi. Shënimi i golit të parë që në fillim dhe më pas goli i Hoxhallarit na dhanë qetësi. Në pjesën e dytë duhej të menaxhonim sa më mirë lojën dhe të prisnim ndonjë hapësirë, ndaj një rivali si Besëlidhja që u tregua shumë dinjitoze sot. Mendoj se e zgjidhëm drejt këtë ndeshje, duke shënuar shpejt dhe duke e mbajtur larg zonës sonë kundërshtarin në pjesën e dytë.

Kupa, a e ka vlerësuar Tirana më shumë se kampionatin?

Kupa është objektivi ynë, por duhet të shohim mirë çfarë po bëjmë në kampionat, sepse nuk jemi paraqitur mirë aty. E shoh fitoren e sotme si një shtysë psikologjike për kampionatin, ku jemi në pozita të vështira.

Ku ndryshon skuadra mes kampionatit e kupës?

Nuk shoh ndryshime, nuk mund të flas tani, bilanci bëhet në fund. Kemi bërë herë pas here ndryshime për të korrigjuar dobësitë. Lojtarët kanë arritur një objektiv të rëndësishëm, por mendoj se kampionati është një gjë tjetër. Skuadrat shtrëngohen të gjitha, ndeshjet janë të gjitha shumë të vështira dhe luhet në çdo ndeshje si finale. Duhet të luajmë pa presion, sepse skuadra po punon mirë, por i duhet përqendrim, sepse për shkak të mungesës së përqendrimit kemi lëshuar shumë pikë, pa harruar probleme të tjera që i kemi diskutuar edhe më parë.

Daja tha që e ka Tiranën 5 pikë larg kreut?

Daja e ka thënë me kohë këtë gjë, ka përmendur edhe autostrada për Tiranën, por kanë qenë autostrada që janë prishur shumë shpejt, ashtu si autostradat ku ecin makinat tona. Tirana duhet të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme duke parë renditjen pas, ndërsa autostradat shihen në fund të sezonit. I uroj suksese Dajës dhe uroj që të dalë kampion”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here