“Jorgji të lutem, eja në Korçë të dielën!”

Nga maji në prill. Pas gati një viti kalendari sjell Kukësin në Korçë. FSHF-ja duhet të sjellë edhe Enea Jorgjin për t’u dorëzuar trofeun korçarëve

Opinion nga Leonard Trebicka

Ikin muajt, rrokullisen dhe në fund të fundit, jeta vazhdon. Kështu tha edhe presidenti i Kukësit, Safet Gjici, 11 muaj më parë. “Jeta vazhdon”, do ketë thënë edhe Enea Jorgji dhe ata që e urdhëruan të bënte atë katrahurë në mes të Kukësit, në sytë e të gjithëve, pa pikën e turpit. Ishte data 20 maj e vitit 2017, kur Kukësi priste Skënderbeun në javën e 35-të të Superiores, ndeshjen vendimtare të sezonit, finalen që vendoste skuadrën që do të fitonte titullin. Askush nuk e ka harruar, e mbajnë mend si të ishte dje atë që bëri Enea Jorgji, i cili e masakroi Skënderbeun, duke ia dhuruar titullin kampion Kukësit. Ta gëzosh Kukës! – i tha arbitri ndërkombëtar, ndërkohë që kuksianët ulën kokën, sepse ishte e turpshme ajo ndeshje, ku Skënderbeu nuk e meritonte atë arbitrim. Dy kartonë të kuq, Mici që në minutën e 11-të, ndërkohë që një tjetër në pjesën e dytë, në minutën e 55-të për Osmanin, i vuri damkën futbollit.

Hamdi Salihi ia grisi në fytyrë kartonin e kuq Jorgjit, pa iu dridhur qerpiku fare, doli nga vetja, duke parë atë padrejtësi të arbitrit. Edhe me 9 lojtarë në fushë, Skënderbeu bëri ligjin dhe tregoi se e meritonte trofeun, që Jorgji ia hoqi nga duart. Gjithsesi, festa u bë në Kukës dhe Gjici deshi që kolegu i tij Takaj ta uronte për titullin kampion. Presidenti i Skëndebeut ia bëri urimin, në fakt, por ndoshta nga gëzimi i madh Gjici nuk e fiksoi atë moment. Ai titull solli diskutime pa fund, sepse Kukësi nuk e meritoi.

Si për koincidencë, sikur Zoti ta kishte caktuar vetë, të dielën e 29 prillit në Korçë, gati një vit më pas nga katrahura e Kukësit, ekipi me po këtë emër vjen në Korçë. Dhe në këtë ndeshje mund të zgjidhet titulli, si një vit më parë. Fitorja e korçarëve u jep atyre matematikisht titullin. Në tribunën qendrore të stadiumit Skënderbeu nuk do të mungojnë Takaj dhe Gjici, ashtu si 11 muaj më parë. Janë po ashtu në fushë shumica e lojtarëve të ndeshjes së vjetshme. Atmosfera në stadium po ashtu do të jetë e ngjashme, por arbitër kush do të jetë? Do të dëshiroja me zemër që të dielën në Korçë të jetë Enea Jorgji për ta sjellë fiks 20 majin e vitit të kaluar. Dhe të jenë Jorgji dhe Kukësi që t’ia dorëzojnë Skënderbeut trofeun e vjedhur.

Ndoshta është më mirë që drejtuesit e Skënderbeut të kërkojnë që FSHF-ja të sjellë Jorgjin në Korçë. Ai duhet të jetë. Ai nuk duhet të mungojë. Nuk do të jetë Salihi, që t’i grisë kartonin e kuq. Kjo është e sigurt, por do të jenë shumica e lojtarëve të katrahurës që bëri arbitri me stemën e FIFA-s.

Jorgji, të lutem, eja në Korçë! Nuk do të të shajë askush, sepse ke ardhur edhe pas asaj ndeshjeje dhe askush nuk të ka trazuar. Eja, sepse vjet festove në Kukës, tani është radha të festosh në Korçë, por pa kurrfarë druajtje, sepse titullin do ta fitojë ekipi që e meriton. Hajde ta pish edhe një birrë dhe ta urosh ekipin kampion me kokën drejt, jo me kokën ulur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *