Jonuz flet hapur: Lojtarët nga Shkodra të mos ndihen inferior, luani futboll dhe kur humbni 5-0

Vllaznia nuk po përjeton një situatë të mirë në kohët e fundit, ndërsa humbja me rezultatin 0-1 ndaj Bylisit i ka shtuar edhe më shumë tensionet brenda skuadrës. Por kjo duhet të lihet pas dhe trajneri Jonuz kërkon që edhe ekipi të shohë përpara, për ndeshjen ndaj Tiranës.

Në intervistën për mediat para kësaj përballje, sipas asaj që raporton “Supersport”, Jonuz u kërkon lojtarëve nga Shkodra që të heqin kompleksin e inferioritetit. Por gjithashtu edhe duke i këshilluar që të luajnë futboll pavarësisht rezultatit.

“Duhet të bëjmë çdo gjë për ta kaluar këtë situatë ku jemi futur. Për mua është mëkat që do të luajmë pa tifozë. E njoh mirë Tiranën. Edhe ata kanë ndryshuar trajner dhe mënyrën e lojës. U kam kërkuar lojtarëve që të mos dekurajohen, por të luajnë edhe më fort. Kjo është krizë rezultatesh, por jo e gjendjes fizike të lojtarëve. Si skuadër luajmë më mirë jashtë, ndaj do të përpiqemi të marrim pikë edhe ndaj Tiranës.

Në këtë situatë, përballja me Tiranën është një sfidë shumë e madhe për lojtarët e mi. Besoj se janë të gatshëm që, pas dy humbjeve të fundit, të reagojnë. Kërkoj prej tyre të japin gjithçka nga vetja. Nga ana tjetër, u dërgoj një mesazh tifozëve. Kur jemi në vështirësi, atëherë duhet të na përkrahni më tepër.

Duhet të gjejmë zgjidhje dhe ta heqim nga koka këtë lloj frike. Lojtarët nga Shkodra ta heqin nga vetja kompleksin e inferioritetit. Kam biseduar me lojtarët e mi. U kam thënë luani futboll, edhe nëse humbni 5-0. Vllaznia duhet të luajë si në ndeshjet e mëparshme dhe do të ketë sukses”, ka thënë Jonuz. /Sport Ekspres/