Jo vetëm Monza e Berluskonit: rregullat më absurde në futboll

Asnjë tatuazh, nuk lejohen vathët, flokët duhet të jenë gjithmonë të rregullt dhe telashe për ata që arbitrit nuk i drejtohen me fjalën “zotëri”. Këto janë disa nga rregullat strikte të vendosur nga Silvio Berluskoni te Monza. “Kavaljeri” ishte i qartë: ai lojtar që dëshiron të jetë pjesë e skuadrës, duhet të jetë një shembull i korrektësisë.

Ish-presidenti i Milanit nuk është i panjohur për rregullat e forta që vendos për lojtarët, ndërsa Monza nuk është klubi i parë që bën të flitet për veten, për shkak të rregulloreve, ndonjëherë edhe të çuditshme, mes klubeve të futbollit. Mes kërkesave për lojën “pokemon go”, çokollatave “Mars” apo ndalimit të kërpudhave në ushqime, disa klube dhe trajnerë janë bërë të famshëm për kërkesat jashtë normales.

Për shembull, në vitin 2010 Aleks Ferguson i ndaloi lojtarët e ekipeve të akademisë të vishnin këpucë me ngjyra në fushë. Të gjithë duhej të luanin me të zeza, të paktën deri në momentin kur i bashkoheshin ekipit të parë të Mançester Junajtid. Edhe Devid Mojs, pasardhësi i tij në stolin e “Djajve të Kuq” nuk ishte më i pakët, pasi ndaloi konsumimin e patatinave dhe ushqimeve me pak yndyrë përpara ndeshjeve. Lojtarët, me Rio Ferdinand në krye, u shprehën të pakënaqur.

Një tjetër trajner që ka bërë të flitet te Mançester Junajtid është Zhoze Murinjo, i cili në vitin 2016 u ndaloi futbollistëve video-lojën “Pokemon Go”, që në atë vit u shndërrua në “fiksim” të një pjese të madhe të popullsisë së globit. Ndërkohë, më parë Ferguson e kishte ndaluar Nanin që ti festonte golat me akrobacinë e zakonshme, prej frikës së ndonjë dëmtimi të portugezit.

Duke qëndruar në Angli, mes rregullave të vendosura nga Arsen Venger në momentin e emërimit te Arsenali, përveç mos lejimit të konsumimit të birrave dhe cigareve nga lojtarët, trajneri urdhëroi të mos shpërndaheshin me çokollata “Mars”, të cilat ishin të preferuarat e lojtarëve të “topçinjve” për t’u konsumuar pas stërvitjeve, si mënyrë për të marrë pak sheqer pas sforcove fizike.

Më tepër se Venger bëri Di Kanio në stolin e Sandërlendit. Ai ndaloi konsumin e kafesë përpara stërvitjeve, ndërsa lojtarët nuk mund të hanin as ketçap, manjonezë dhe pijet me gaz. Trajneri ndaloi gjithashtu edhe përdorimin e telefonëve celularë në dhomat e zhveshjes, ndërsa vendosi kufizime për shakatë dhe këngët përpara ndeshjeve.

Por, nëse këto rregulla ju duken të ekzagjeruara, çfarë mund të thuhet për atë të vendosur nga ish-idhulli i Sëlltik, Neil Nenon? Pas emërimit në stolin e Boltonit, ai nuk i lejonte lojtarët që të përdornin kapuçë në stërvitje, për të mbrojtur kokën dhe veshët nga i ftohti, me argumentin se “duke qenë se nuk mund ti mbajnë gjatë ndeshjeve, është e kotë të përdoren në stërvitje”.

Në këtë përmbledhje nuk mund të mungonte edhe një legjendë si Xhovani Trapatoni, që gjatë qëndrimit te përfaqësuesja irlandeze nuk i lejonte futbollistët të konsumonin kërpudha, prej frikës se mund të kishin vështirësi në tretje edhe gjatë ndeshjeve. Më tepër sesa “dorë e hekurt”, këto janë rregulla të çuditshme, ndërsa krahasuar me të tjerët, Berluskoni duket një fillestar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *