Jo vetëm Laçi-Flamurtari, katrahurë e arbitrit në Apolonia-Bylis

2

Bylisi mund Apoloninë, në ndeshjen e tretë mes tyre. Vendos një penallti e kontestuar ashpër në minutën e 86-të, ndërsa mallakastriotët, në vazhdim të kampionatit shpresojnë te gabimi i Tiranës

Mikel Mbriçaj

Pas dy barazimeve, Bylisi fiton me Apoloninë dhe i qëndron nga pas, “pullë poste”, Tiranës. Fierakët edhe pse kanë luajtur mirë, ngecën në një humbje minimale në ndeshjen e tretë të këtij kampionati me Bylisin. Shosha ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë, ndaj ish-skuadrës së tij. Të dyja skuadrat hynë të mobilizuara për të arritur fitoren ndaj njëra-tjetrës. Pavarësisht kësaj, ajo që duhet përmendur është se mbrojtjet e të dyja ekipeve kishin më shumë punë. Rastet për shënim nga të dyja ekipet, numërohen me gishtat e dorës dhe një gjë e tillë erdhi si rrjedhojë e trysnisë që kishin dy skuadrat para kësaj ndeshjeje.

Ndeshja ka pasur dy episode kyçe, sepse në pjesën e parë arbitri nuk pa në mënyrë absurde një karton të kuq për Bylisin, me një faull neto jashtë zone duke evituar një mundësi të pastër shënimi për Apoloninë. Gabim njerëzor? Arbitra të tillë, si ai i Laçi-Flamurtari dhe ky në Fier, i bie që ose nuk dinë rregulloret e futbollit dhe bëjnë mirë të lënë punën, ose kanë bërë gjithçka qëllimisht.

Minuta e 86-të shënon rastin e dytë: një aksion model i Kolgegës, i cili i shpëton mbrojtjes fierake, del përballë portierit Çako dhe rrëzohet brenda zonës. Gjyqtari Hoxha akordon penallti. Pas këtij veprimi, pati protesta të shumta, jo vetëm të lojtarëve, stafit, por dhe të tifozërisë fierake, e cila në këtë ndeshje ishte më shumë se herët e tjera në shkallët e stadiumit. Nga pika e bardhë gjuan Shosha, që e dërgon topin në rrjetë, duke shënuar golin e avantazhit. Minutat në vazhdim të pas golit, u zhvilluan nën një tension të pakuptueshëm nga lojtarët e të dy ekipeve. Apolonia, së bashku me portierin Çako, hidhet e tëra në sulm, në kërkim të golit të barazimit, por pa ia arritur qëllimit. Përfundimisht, Bylisi fiton në ndeshjen e tretë me Apoloninë dhe siguron vendin e dytë në grupin B, të Kategorisë së Parë, duke i qëndruar nga pas Tiranës, në luftën për një vend në Superiore.

Kashami: Me gjykime të tilla,  më mirë të mos luajmë fare

Ndriçim Kashami, trajneri i Apolonisë në fund të ndeshjes u duk i mërzitur nga rezultati, që arriti skuadra e tij. Ai protestoi ashpër për gjykimin e ndeshjes dhe për rastin e penalltisë së Bylisit. “Apolonia u mund nga një penallti inekzistente. Vetëm penallti nuk ishte, ai moment. Përsa i përket lojës, ajo ishte e barabartë. Është e kotë, që ne të vazhdojmë kampionatin me të tilla gjykime si ky i sotmi. Skuadra ime, nuk ka humbur ndaj Bylisit, por ka humbur gjyqtari dhe futbolli ynë”, është shprehur Kashami.

Sadedini: Shpresojmë te një gabim i Tiranës

Nga ana tjetër, Dritan Sadedini, trajneri i Bylisit është kënaqur pas këtij trepikëshi. “Ishte një lojë e fortë dhe me rivalitet, ku të dy ekipet bënë çmos për të fituar. Ndryshe nga një javë më parë, skuadra mu përgjigj mjaft mirë në të gjitha aspektet dhe arritëm të fitonim. Kështu do të vazhdojmë deri në fund, për të përfituar nga ndonjë gabim i Tiranës, e për të synuar arritjen e synimit tonë primar, ngjitjen në Superiore”, është shprehur Sadedini.

Apolonia – Bylisi       0-1

Shënues: Shosha 86’ (11-m)

Apolonia: Çako, Braka, Kuçi, Duda, Broshka, Troka, Andoni (Mehmeti 67), Hysenshahaj, Sota, Dimo, Mihana (Prifti 72’). Të gatshëm: Hasfatija, Lamaj, Velaj, Kondaj, Bajrami. Trajner N.Kashami.

Bylisi: Xhorxheviç, Murataj (Kolgega 75’),  Zisi (Buzi 46’), Kullira, Bella, Hoxhaj, Mahmuti, Çukuka (Granado 46’), Luis Henrikue, Shosha, Ntepe. Të gatshëm: Dramolli, Samnda, Dalanaj, Lutaj. Trajner: D.Sadedini

Gjyqtarë: E. Hoxha, R. Çokaj, P. Simoni (Lezhë), B. Dragusha (Shkodër)

Kartonë të verdhë: Kuçi 13’, Braka 59’, Çako 86’ / Bella 31’, Mahmuti 89’,  Luis Henrikue 90’, Buzi 93’, Shosha 94’

 

You might also like
2 Comments
  1. Besi says

    Arbitrim skandaloz duket se edhe kete vit tiranen nuk e duan ne superiore halili duket se paska probleme me duken. Dhe ballshiotet ankohen per gjykimin. Federata duhet te nderhyje dhe te penalizoje keta arbitra kamikaze dhe te kirruptuar si ouna e atij ne ballsh qe dha penalltine kunder tiranes nje penallti inekzistente

  2. alesio says

    o shoku ashtu sic kan ndhimuar tiranen deri die gjyqtaret pastaj per apollonin duhej te jepeshin 2 kartona te kuq per dimon dhe kucin .

Leave A Reply

Your email address will not be published.