Jo vetëm Godin, Marota nis ofensivën për dy lojtarë të tjerë

Mediat italiane e bëjnë fakt të kryer arritjen e akordit mes Interit dhe Diego Godin, me mbrojtësin uruguaian të Atletikos së Madridit që do të zbarkojë në Milano në fund të sezonit pa shpenzuar asnjë euro.

Xhusepe Marota e ka nisur vrullshëm punën me klubin zikaltër dhe po bën maksimumin për të përforcuar kontingjentin e lojtarëve të Luçiano Spaletit. Administratori i deleguar ka dy emra të tjerë në listë, të cilët janë në fund të kontratës me ekipet e tyre dhe mund të vijnë me parametra zero.

Flasim për Arjen Roben të Bajernit dhe Hketor Herrerën e Portos. Strategjia e Interit është marrja e lojtarëve pa harxhuar para, ndërsa kualiteti mbizotëron mbi moshën. Holandezi është 34 vjeç, por cilësitë e tij nuk vihen në dyshim dhe Marota shpreson që ai mund të bëjë dhe rolin e liderit në ekip.

Arjen Roben

Nga ana tjetër është dhe meksikani, i cili nuk ka rinovuar me Porton dhe do të largohet në verë. Herrera është një mesfushor i kompletuar dhe ai pëlqehet shumë nga zikaltrit.

Marota po monitoron dhe dyshen e Junajtid: Darmian dhe Valencia. Interes ka dhe për Barelën e Kaljarit dhe Milinkoviç-Saviç të Lacios, pavarësisht se ky i fundit kushton shumë.

Hektor Herrera

Por, ka dhe merkato në dalje. Zhoao Miranda ka kërkuar largimin nga ekipi dhe për mbrojtësin brazilian po interesohet Roma. Di Françesko e pëlqen shumë 34-vjeçarin dhe Roma po mendon ta marrë atë në huazim në fund të sezonit, pasi mund të humbasë shërbimet e grekut Manolas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *