Jo thjesht zbavitje, pse duhet zgjedhur sporti si profesion?

0

Në një moment të vitit kur mijëra maturantë po vendosin për të ardhmen e tyre profesionale është plotësisht e argumentuar ftesa për të zgjedhur sportin si profesion. Dhe argumentet janë shumë më tepër se sa duhen për të bindur një vajzë apo djalë që e njeh, vlerëson dhe ndjek sportin si aktivitet.

Po rreshtojmë vetëm disa prej tyre:

  1. Sporti është një nga aktivitetet më popullore në botë. Ai është dhe do të bëhet gjithnjë e më shumë vendi ku të gjithë do të vijnë: si ushtrues, spektatorë apo konsumatorë. E, natyrshëm, do të ketë, gjithnjë e më shumë mundësi punësimi si specialistë, trajnerë, instruktorë, administratorë. Shifrat e sportit janë magjike: 15 milion njerëz të punësuar vetëm në 27 vendet e Bashkimit Evropian me një GDP prej 45 miliard eurosh ose 4.5% e GDP së përgjithshme të vendeve të BE.
  2. Sporti, në format e larmishme të ushtrimit të tij: si sport shkollor, rekreativ, elitar apo si aktivitet fizik rehabilitues, krijon mundësinë e përfshirjes së të gjithëve, nga fëmijët e vegjël deri tek mosha e tretë. Sot ka sport që mund ta bëjë një 6 vjeçar(bebi basket apo minibasket në sportin e basketbollit, p.sh.), ashtu siç shikon 80-vjeçar që marrin pjesë aktive në aktivitete sportive vjetore për moshën e tyre.
  3. Shoqëria moderne po vuan gjithnjë e më tepër pasojat e jetës sedentare dhe mungesës së aktivitetit fizik. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar përfundimin e saj që, nga 10 persona që vdesin nga sëmundje jo infektive, 6 vdesin nga sëmundje që lidhen drejt për drejt me mungesën e aktivitetit fizik. Kjo ka tingëlluar fuqishëm si kambanë alarmi për qeveritë botërore, ndaj zhvillimi i sportit është mbështetur e do të mbështetet gjithnjë e më aktivisht nga qeveritë e gjithë botës.
  4. Njerëzimi po jeton gjithnjë e më gjatë, natyrshëm që edhe shqiptarët po ashtu, dhe ky aspekt pozitiv shoqërohet edhe me problemet përkatëse. Moshat e treta dhe të katërta kanë nevojë shumë të madhe për lëvizje, jetë aktive, shoqërizim. Sporti është padyshim mjeti më efikas për këtë, natyrisht i organizuar dhe zhvilluar në përputhje me veçoritë e moshës dhe kërkesat ndaj tij. Dhe këtë zhvillim mund e duhet ta bëjnë vetëm specialist të kualifikuar.
  5. Në Shqipëri, me gjithë përmirësimet e vazhdueshme, përfshirja e njerëzve, veçanërisht e fëmijëve në sport është shumë e ulët. Kjo dukuri negative ka, sidoqoftë, edhe aspektin e vet pozitiv. Rritja e pashmangshme e numrit dhe gamës së pjesëmarrësve në aktivitetin fizik e sportive do të rrisë kërkesën për specialistë të kualifikuar në fushën e sportit ndaj duhet menduar që sot që ky profesion të zgjidhet si alternativë.

Për sa u tha më sipër, por edhe për shumë arsye të tjera, të studiosh për tu bërë një specialist sporti është sot, dhe do të bëhet edhe më shumë në të ardhmen, një zgjedhje inteligjente profesionale.

Shqipëria është akoma në fillimet e zhvillimit normal të sportit në gamën e përgjithshme të zhvillimit të tij. Disa fusha tradicionale si  mësimi i edukimit fizik janë të konsoliduara si profesione dhe të rregulluara me ligj. Fusha të tjera si fitnesi, trajningu sportiv, etj., janë akoma të parregulluara me ligj dhe nuk garantojnë vlefshmërinë ligjore te diplomës, dhe prioritetin institucional të punësimit për zotëruesin e një diplome të tillë, megjithëse ekzistojnë si fusha punësimi.

Ndaj zgjedhja inteligjente është ai program studimi  që mundëson një gamë të madhe hapësirash punësimi me të njëjtën diplomë.

Ne të Universitetit Marin Barleti jemi të bindur se alternative  që duhet të ofrojmë në fushën e edukimit fizik e sportit është një diplomë e vetme  që  mundëson një përgatitje të gjithanshme si mësues, trajner, instruktor fitnesi e rekreacioni, guidë turistike e trajner personal.

Kjo nënkupton kohë të fituar e shumë më pak shpenzime për studentin.

Dhe jemi në rrugë të mbarë për ta realizuar këtë objektiv.

Prof.Dr. Artan Shyti Pro Rektor

Universiteti Marin Barleti

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image