“Jo po leva, jo po x-i”, Musta sqaron dhe i dërgon mesazh rivalëve

Emiljano Musta është i qartë me Kukësin, klub që në verë kërkoi shërbimet e tij. Në shtëpi Flamurtari nuk duhet të gabojë dhe mesazhi i anësorit të majtë është i drejtpërdrejtë. “Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi Kukësi kërkon titullin kampion. Gjithsesi edhe ne si Flamurtar nuk na lejohet të gabojmë në ndeshjet në shtëpi. Shpresojmë të fitojmë, siç kemi bërë edhe në dy ndeshjet e para”, u shpreh Musta para mediave ditën e sotme.

Kukësi dhe Teuta janë përforcuar në merkato, por për futbollistin nga Elbasani fusha tregon gjithçka dhe Flamurtari sipas tij i ka kapacitet për të përballuar garën.  “Me Teutën e bëmë ndeshjen dhe është gjynah që u dhamë një pikë, nisur nga ajo që dhamë në fushën e lojës. Kukësi e Teuta janë përforcuar në letër, por në fushë është diçka krejtësisht tjetër”, thotë anësori i majë.

Më tej Musta plotëson mendimin e tij, duke u shprehur kështu: “Me të vërtetë na janë larguar disa lojtarë, por organika jonë është e plotë. Kemi gati 25 lojtarë dhe të gjithë janë gati e presin shansin të luajnë”.

POSTIMI NË INSTAGRAM – “Jo po kanë marrë fund, jo po leva, jo po x-i”, shkruante pas ndeshjes me Teutën Musta, i cili në konferencën e sotme për shtyp edhe e ka komentuar postimin e tij në “Instagram”.

“Varet se si e marrin njerëzit. Nuk më pëlqente fakti që flitej sikur Flamurtari kishte marrë fund, sikur këtu kishte vetëm gjëra të këqija. Ai postimi tregon që ne jemi të gjithë të bashkuar dhe japim shpirtin në fushë, pavarësisht çfarë flitet rreth e rrotull. Brenda në klub ka qetësi dhe ne jemi të organizuar e gati të tregojmë vlerat në fushën e lojës”.

Në fund ai flet edhe për objektivat e Flamurtarit në kampionat: “Kur jemi ndërtuar si ekip në verë, një nga objektivat ka qenë pjesëmarrja në kupat e Europës. Do bëjmë maksimumin ta arrijmë këtë objektiv. Në fund do të shihet sa do e arrijmë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *