Jeta e re e Ariel Shtinit, trajnerit që studion Guardiolën: Besoni, ëndrrat realizohen!

Ariel Shtini mund të jetë harruar nga shumëkush, të tjerë as që e kanë parë të luajë futboll. Karriera e tij ka qenë e shkurtër, një dëmtim i rëndë ia ndërpreu ëndrrën në mes. Ishte pjesë e Milsamit në Moldavi, ndërkohë që në Shqipëri kishte mbrojtur ngjyrat e Besës dhe Dinamos.

Ish-sulmuesi ka luajtur edhe me kombëtaret e moshave, kurse tanimë i kushtëzuar i futur një bote tjetër: asaj të trajningut. Sërish pranë futbollit, nuk është e lehtë për të që të shkëputet. Në një bisedë për “SportEkspres.com”, Shtini rrëfen momentet e vështira, jetën e re dhe punën me fëmijët.

Shtini në Moldavi, kur firmosi te Milam

26-vjeçari nuk dëshiron të ngutet, por t’i ngjitë shkallët e karrierës një e nga një. Një koment për të rinjtë që po drejtojnë në Superiore nuk mungon, sikurse edhe këshilla për fëmijët që merren me futboll. “Besoni dhe punoni për të realizuar ëndrrat”, thotë Shtini, i cili ndjek shembullin e Guardiolës dhe e studion. Një ditë mund ta shohim të drejtojë edhe në elitë, rrugëtimi i tij ka nisur…

INTERVISTOI: VLADIMIR PRENGA

Ariel, prej pak vitesh e keni lënë futbollin e luajtur për shkak të një dëmtimi të rëndë. Me çfarë po merreni aktualisht?
Po, e vërtetë. Prej 6 vitesh e gjysmë nuk luaj më futboll dhe kam 4 vite që punoj si trajner fëmijësh pranë klubit Besa. E bëj këtë së bashku me babanë tim, i cili e bën diçka të tillë që prej 25 vitesh.

Sa ka ndryshuar jeta juaj, këndvështrimi juaj për futbollin gjatë këtyre viteve?
Jeta ime ka ndryshuar plotësisht le të themi, pavarësisht se jetoj çdo ditë me futbollin. Të jetosh si futbollist është diçka krejt ndryshe nga ajo e trajnerit. Intensiteti i përditshmërisë ka rënë pak, duke qenë se puna e trajnerit është në shumicën e rasteve teorike. Futbolli ka ndryshuar shumë, duke nisur që nga mënyra e stërvitjes e deri te koncepti për lojën. Është bërë futbolli më i shpejtë, më shumë i organizuar dhe investimet bashkë me të ardhurat janë shtuar.

Shtini, me fanellën e Besës së Kavajës

A jeni mësuar shpejt me idenë që nuk do të mund të luani më futboll si profesionist? Sa e vështirë ishte për ju ajo periudhë?
-Kam qëndruar rreth 16 muaj me paterica pas operacionit që bëra në të dyja këmbët dhe mund të them që momenti më i vështirë ka qenë kur i hoqa ato. Aty kuptova realisht që nuk mund të luaja më futboll. Por çdo gjë kaloi gradualisht. Koha shëron çdo gjë. Me ndihmën e familjes dhe shoqërisë çdo gjë u bë më e lehtë. Nuk është si më parë, por jam i kënaqur me jetën që bej. Më mjafton ideja që po merrem akoma me futboll.

Siç nisët të luanit me Besën, tani keni nisur trajningun po në shtëpi. Sa ju ndihmon ajo eksperiencë e shkurtër që keni si futbollist në formimin tuaj si trajner?
-Eksperienca si lojtar është thelbësore, sepse bën t’i përjetosh gjërat nga afër dhe je akoma më brenda psikologjisë së lojtarëve. Mendoj që një trajner i mirë duhet të jetë mbi të gjitha një psikolog i mirë. Gjithashtu më kanë ndihmuar shume licencimet pranë FSHF-së, me kursin UEFA B dhe A, por edhe azhornimet  që bëj herë pas here në Koverçiano. Vlen për t’u përmendur si ndihmë edhe ajo e babit, duke qenë se e kam pasur trajner brenda në shtëpi në çdo ditë të jetës.

Duke qenë se tani e ardhmja juaj është trajningu, cili është ai trajner nga ju keni marrë më shumë? Ka një që ju frymëzon?
-Normalisht është Guardiola, trajneri që solli revolucionin në futbollin organizativ. E studioj gjatë gjithë kohës, por më pëlqen dhe grinta e trajnerit Klop të Liverpulit. Do të doja të isha një miks i të dyve.

Kur luanit kishit detyrë të shënonit gola. Kur do e bëni “golin” tuaj dhe të drejtoni një ekip të rriturish? Ndiheni gati për diçka të tillë?
-Preferoj t’i marr gradualisht gjërat. Mendoj që eksperienca e re te Besa U17 do të jetë një “asist” i mirë për të bërë një “gol” te një ekip të rriturish.

Si e shikoni “ trendin” që presidentët e klubeve po u besojnë trajnerëve të rinj? Në Superiore dhe në të Parën ka goxha të rinj që po trajnojnë, madje me sukses.
-Më në fund presidentët e kanë kuptuar që një trajner i ri dëshiron kohë të shprehë idetë dhe të përshtatet me grupin. Gjëja më e mirë që mund të bëjnë është t’ia besojnë një të riu në moshë. Është dhe një punë mjaft e mirë e FSHF-së dhe kursit të trajnerëve, me në krye profesorët Astrit Maçi e Alban Tafaj, të cilët po “edukojnë” me metodat më të reja të trajningut një brez mjaft të mirë që do i shërbejë për shumë kohë futbollit shqiptar.

Po punoni me moshat tani dhe Besa U17 vjet u shpall kampione. Si e shikoni punën te moshat në vendin tonë? Sa të gatshëm dalin lojtarët për ekipet e para?
-Grupmoshat e Besës kanë elementë shumë të mirë, me të cilët mund të punohet për të ardhmen. Probleme në punë te moshat ka në masë, por ato që evidentoj më tepër janë në infrastrukturë dhe në mentalitet. Fakti që U17 u shpall kampion vjet, do të thotë që është bërë një punë e mirë ndër vite.

Së fundmi, ju si trajner çfarë këshille u jepni zakonisht të rinjve dhe cili është mesazhi për ata fëmijë që merren me futboll?
-I këshilloj gjithmonë fëmijët që stërvit që të mos heqin dore kurrë së besuari. Dhe për të arritur një objektiv, jo vetëm duhet ëndërruar, por edhe duhet punuar për atë qëllim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *