Jerri Mina në Premier Ligë, detajet e marrëveshjes

Kalimet nga Barcelona te Evertoni po kthehen në normalitet. Pas Lukas Dinje, edhe një tjetër lojtar i katalanasve pritet të vishet blu. Në fakt nuk është një surprizë, pasi prej kohësh është bërë me dije interesimi që klubi i Premier Ligës ka për kolumbianin Jerri Mina.

Pas tërheqjes së Mançester Junajtid, që nuk ishte gati t’ia plotësonte kërkesat financiare mbrojtësit, Evertoni ka nxituar dhe ka gjetur marrëveshjen për 32 milionë euro raporton gazeta spanjolle “Sport”. Parimisht është mbyllur gjithçka dhe mund të diskutohet vetëm për ndonjë detaj të vogël.

Sa i takon kontratës së lojtarit me Evertonin, gjithçka është e mbyllur. Mina për pesë vite do të jetë pjesë e skuadrës angleze, që ndryshe nga Junajtid ia ka plotësuar të gjitha kërkesat lojtarit që spikati në Rusi 2018 me Kolumbinë.

Tanimë mbetet që të zyrtarizohet marrëveshja edhe nga klubet. Mbrojtësi ishte jashtë planeve të Barcelonës dhe shitja e tij u pa si mundësia më e mirë. Katalanasit në janar e blenë 23-vjeçarin për rreth 12 milionë euro, ndërkohë që pas gjashtë muajsh arrijnë të përfitojnë 20 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *