“Jemi mësuar me kritika dhe moviola”, Enea Jorgji zbutet nga pandemia: Do tolerojmë me kartona

Futbolli në Shqipëri pret ende dritën jeshile nga qeveria për të rifilluar sërish, dnërsa futbollistët gjatë kësaj kohe janë stërvitur në kushtet e shtëpisë. E njëjta gjë vlen edhe për ata që ndajnë drejtësinë në fushën e lojës, të cilët presin rinisjen me po aq vëmendje sa lojtarët. I ftuar në “Studio Sprint” në “ABC News”, një nga arbitrat më në zë të futbollit shqiptar, Enea Jorgji, ka folur më tepër rreth zbritjes sërish në fushën e lojës.

Jorgji tregon se duke pasur parasysh situatën e krijuar dhe vështirësitë që futbollistët do të hasin në formën e tyre arbitrat do të tregohen më të butë me vendimet e tyre, duke e kursyer kartonin e verdhë. Sipas tij titulli duhet fituar në fushë, ndërsa për pjesën e kritikave dhe të moviolave tashmë gjyqtarët janë mësuar e nuk u bëjnë më përshtypje. Gjithashtu ka folur edhe për planet e lëna përgjysmë nga pandemia, teksa ishte planifikuar të arbitronte në Europë.

RIFILLIMI – “Sigurisht, edhe ne duhet të  rifillojmë nga një proces i lënë përgjysmë, por njëkohësisht i rifilluar edhe nga e para. Kam përshtypjen se nuk mund të themi asgjë me siguri, por mungesa e tifozëve do e zbehë atmosferën dhe futbollin normal. Nuk do të ndryshojë shumë tek arbitrat, por do të ketë impakt te futbollistët. Do ta bëjë të zbehtë këtë rifillim”.

KARTONËT E VERDHË – “Besoj se kjo pjesë është pjesë teknike, nuk mund të bëhen ndryshime. Është çështje menaxhimi, në situatë jo normale. Mund ta bëjmë në rifillimin e sezonit, por kjo gjë do të varet vetëm nga arbitrat, jo nga Koronavirusi, e as nga ndërprerja 2 mujore”.

TOLERIMET – “Ne jemi njerëz dhe e kuptojmë se situatë nuk është normale. Do të mundohemi ta shikojmë këtë gjë në të mirë të futbollit. Aty ku ka vend për menaxhim dhe tolerim njerëzor, do ta bëjmë, pasi jam i bindur se do të kemi mirëkuptim nga aktorët e futbollit. Por nuk do të cenojmë garën, pasi kampionati për këtë arsye do të nisë, për të marrë secili atë që meriton”.

STËRVITJA – “Sigurisht, unë personalisht kam rreth një javë apo më shumë që kam filluar stërvitjen normale. Besoj se me kalimin e ditëve, do të futem në ritmin optimal, ashtu si dhe skuadrat. Pjesa e fushës është diçka tjetër, pasi të luash apo të arbitrosh, do impenjim tjetër”.

ARBITRIM NË EUROPË – “Na është dërguar një e-mail, ku citohej se janë shtyrë të gjitha ndeshjet europiane. Kisha një ndeshje të përcaktuar për të gjykuar, por do të shikojmë se si do të jetë vazhdimësia e UEFA-s dhe FIFA-s në kompeticionet që ata vetë organizojnë. Ne mirëpresim çdo e-mail, kemi të gjithë një dëshirë: Të rifillojmë futbollin, është pjesë e rëndësishme e jetës tonë.

TITULLI – “Sigurisht, titulli duhet të dalë nga fusha, pasi nuk ka kënaqësi më të madhe. Fusha është simboli meritokracisë. Nëse nuk vendosen verdiktet në fushë, çfarë kuptimi do të kishte? Prandaj të gjithë futbollistët, arbitrat, tifozët, vijnë në stadium.

MOVIOLA – “Është bërë diçka më shumë sesa e nevojshme, e detyrueshme, për t’iu dhënë lajm medieve. Ne pak a shumë jemi mësuar me idenë që do të kemi gjithmonë një moviolë ose kritikë, në 90% të rasteve. Nga e gjitha kjo situatë, do të uroja që të gjithë analistët që dalin në TV, ta shikojnë më ndryshe arbitrimin, pasi dhe ne njerëz jemi”, është shprehur Enea Jorgji./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *