“Je ekip që nuk tradhëtohesh”, ikona Dosti i jep mesazhin e koduar Hoxhës: Mos u bëj tradhëtar se do pendohesh

 

Të lësh ekipin për të veshur fanellën e kundërshtarëve të përjetshëm është diçka që tifozët dhe personat e lidhur me ngjyrat e ekipit nuk e kapërdijnë dot lehtë. Ka ndodhur me Partizanin vitet e fundit, ku lojtarë si Torasa dhe Batha i janë bashkuar Tiranës, edhe pse në të shkuarën kanë luajtur për stemën e “demave të kuq”. Së fundi edhe emri i kapitenit Alban Hoxha po përflitet për një kalim të tillë. Presidenti Halili e ka thenë hapur se do e përshëndeste një transferim të tillë, ndërsa mosrinovimi i kontratës nga ana e portierit bën që shanset që Hoxha të vishet bardheblu të rriten.

E në një situatë të tillë nuk kishte si të mos mungonte zëri i një ikone të Partizanit si Edmond Dosti. Ish-sulmuesi njihet për lidhjen e përjetshme me klubin e kuq dhe nuk nguron të flasë sa herë e sheh të nevojshme. Në një postim të fundit në llogarinë e tij në “Facebook”, Dosti shkruan për besnikëri ndaj fanellës, dhe në një farë mënyre i dërgon një mesazh edhe Hoxhës, të cilin e fton të mos bëhet tradhëtar duke veshur ngjyrat e Tiranës.

“Ti je ekip që nuk tradhëtohesh me çfarëdo lloj çmimi. Shumë lojtarë do ikin dhe do të vijnë, por ti Partizan do të mbetesh për mua ekipi i përjetshëm i zemrës… Përjetë me ty Partizani. (Mos u bëj tradhetar se pastaj do të pendohesh)”, shkruan Edmond Dosti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *