Java e shtatë e Superiores, ky është formacioni më i mirë në kampionatin shqiptar

Java e shtatë e Superiores është mbyllur dhe kampionati shqiptar vazhdon të jetë i ngjeshur për të mos kuptuar asgjë sa i përket ekipeve që do të luftojnë për vendet e para. Megjithatë kur kthehemi te formacioni më i mirë i javës që kemi lënë pas, kemi një dominim të Vllaznisë. Ajo fitore ndaj Kukësit në transfertë me rezultatin 1-2, ishte për notën “10” sa i përket shkodranëve. Lojtarët si Malota në qendër të mbrojtjes dhe që ishte i pakalueshëm, Hygor me spektaklin e dhuruar, Gligorov që në krahë nuk mund të thyhej apo edhe Lika që ka një “jetë të re” me trajnerin Jonuz, janë të përfshirë në të.

Për të vazhduar me Isli Hidin, që edhe këtë herë ishte heroi i Bylisit, duke mbajtur portën e paprekur ndaj Laçit. Lorenc Trashi do të ishte shpëtimtari i Partizanit pas asaj perle që dhuroi ndaj Teutës me goditjen e dënimit, Por përtej golit, ishte sërish lojtari më i mirë i të kuqëve.

Nëse flasim për krahun tjetër të kryeqytetit, Tiranën, në atë barazim 2-2 me Flamurtarin duhet t’i falen padyshim Hasanit. Qendrën e mbrojtjes e plotëson Ditmar Bicaj që ishte i pakalueshëm pavarësisht kartonit të kuq të marrë në fundin e ndeshjes, për të vazhduar me njeriun gol te Teuta ndaj Partizanit, Avdyli.

Një meritë të madhe ka edhe Dita i Skënderbeut që korçarët dolën me tre pikë ndaj Luftëtarit, ndërsa për sulmin ishte edhe vështirësia më e madhe. Nëse Shkurtaj ndodhet në formacionin më të mirë në këtë javë, shprehet qartë se çfarë krize ka kaluar gjithë pjesa tjetër e sulmuesve në Superiore. /Sport Ekspres/

Formacioni më i mirë

Hidi

Trashi-Malota-Bicaj-Gligorov

Hygor-Avdyli-Dita

Hasani-Lika

Shkurtaj