Java e katërt | Nga Skënderbeu tek Kastrioti, ja situata e Superiores

Java e katërt e Superiores u luajt pas pauzës së kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Pushimi duket se erdhi në momentin e duhur për shumicën e skuadrave, pasi ekipet ende nuk ishin konsoliduar plotësisht. Vetëm një nga katër ndeshjet e kësaj jave solli barazim, ndërsa të gjitha sfidat e tjera prodhuan të paktën nga një gol.

Të shtunën, Kamza arriti që të thyente Kastriotin, duke u rikthyer tek fitorja. Ishte suksesi i parë i teknikut Klodian Duro, i cili rikthehet që të drejtojë sërish në Kategorinë Superiore.

Kastrioti pëson humbjen e tretë radhazi dhe i duhet që të reagojë sa më parë nëse nuk do që të rrezikojë të rikthehet në Kategorinë e Parë. Krutanët kanë marrë vetëm një fitore në javën e parë me Luftëtari në transfertë.

Në mbrëmje, ishte radha e Kukësit që të merrte maksimumin e pikëve në Durrës. Skuadra e Armando Cungut vuajti jo pak, por pikët kanë rëndësi mbi gjithçka dhe sërish verilindorët shihen si një nga skuadrat pretendente për të triumfuar në fund të edicionit. Tani diferenca me kreun është vetëm 3 pikë.

Në anë tjetër, Teuta e Bledi Shkëmbit tregoi dhe një herë se është një skuadër e fortë dhe se ndaj çdo kundërshtari mund të marrë pikë. Me Kukësin bëri çmos për të mos dalë duarbosh, megjithatë kuksianët sërish janë makthi i durrsakëve, që kanë një  bilanc shumë të frikshëm me “Djemtë e Detit”.

Të dielën ishte radha e Partizanit që të vizitonte Laçin. “Demat” nuk morën dot më shumë se një pikë, në një ndeshje që nuk prodhoi shumë raste. Kryeqytetasit pa zhurmë duket se dhe këtë edicion kanë pretendime maksimale, edhe pse këtë fillim sezoni ende nuk po e gjejnë dot atë shkëlqimin që kërkojnë.

Laçi ndodhet aty pranë skuadrave të kreut dhe është një nga dy skuadrat që ende nuk e ka provuar humbjen e parë.  Me Uzunin ndoshta do të kishin më shumë pikë, por mund të pretendonin dhe për më lart. Gjithsesi, Xhixha mund të shpërthejë dhe të marrë skuadrën përdore.

Pak orë më vonë ishte radha e Tiranës për të festuar fitoren e parë në Superiore. Skuadra e Ze Marias mundi Luftëtarin që kishte vetëm 1 pikë më pak. Një fitore që sjell disi qetësi dhe bardheblutë mund të jenë sërish konkurrues, gjithnjë nëse vijojnë me rezultate pozitive. Diçka pozitive që skuadra shënoi 3 gola.

Luftëtari mbete me 0 pikë dhe pas javës së katërt. Tekniku Kostiç është në fije të perit, megjithatë duket se dhe me Teutën do të jetë në stol. Bluzinjtë prodhojnë lojë, por jo rezultat dhe ky është një problem jo i madh. Duhet të korrigjohet diçka, sa nuk është ende vonë.

Të hënë u zhvilluar dhe ndeshja e fundit dhe ajo që luhej për kreun. Daja me Flamurtarin e tij sfidonte ish-skuadrën e tij, Skënderbeun e Shehit. “Nxënësi” e mundi “profesorin”, pasi në fund ishin korçarët që morën pikë të plota në këtë ndeshjen që luhej për vendin e parë.

Skënderbeu, edhe pse me shumë ndryshime dhe me mendjen tek lufta me UEFA-n sërish në fushën e blertë ka personalitet dhe arrin të marrë pikët edhe kur nuk dominon.

Flamurtari thyhet në mbrojtje, çka në tre javët e para ishte dalluar si pika më e fortë. Kuqezinjtë sërish mbeten në kuotën e 7 pikëve, por tani lider është Skënderbeu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *