Java e finaleve Flamurtari-Tirana në Vlorë, fillimisht femrat e basketbollit

0

Flamurtari-Tirana, kjo është beteja e dyfishtë e javës në futboll e basketboll, dy finale të vërteta, sepse në futboll të shtunën do të luhet për mbijetesën në Superiore, ndërsa në basketboll për femra sot do të luhet aktin e tyre të katërt për titullin kampion në ora 18:00 në Pallatin e Sportit në Vlorë në një ndeshje, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar dhe platformën Supersport.

Flamurtari kërkon titullin kampion, ndërsa Elektra Zykaj, lojtarja më në formë e momentit për skuadrën vlonjate, konfirmon se në fushën e lojës do të kërkohet fitorja. Madje sipas saj në Tiranë nuk është toleruar, përkundrazi skuadra bardheblu është një kundërshtar i fortë dhe me shumë vlera.

“Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe në Tiranë – thotë Zykaj – por unë them se Tirana ka një skuadër shumë të mirë. Mendoj se do të ishte e tepërt nëse Tirana do të humbiste këtë sezon me rezultatin 3-0. Humbja në kryeqytet ka ardhur për shkak të fajit tonë dhe askujt tjetër. Nuk toleruam aspak, siç dhe mund të besohet e mendohet. Tani dua që Pallati i Sportit në Vlorë të jetë plotë ditën e ndeshjes për të përkrahur Flamurtarin dhe së bashku të festojmë titullin kampion. E meritojmë këtë titull për vetë sezonin që kemi zhvilluar, pavarësisht se e kemi përfunduar sezonin e rregullt në vendin e tretë. Ndeshjet në Play-off dëshmuan se jemi ekipi më i mirë që e meritojmë këtë trofe”.

Edhe basketbollistja serbe, Marjana Çorto, pranon se të enjten Flamurtari do të kërkojë titullin kampion, ndërsa i ka bërë thirrje publikut për të mbushur shkallët e Pallatit të Sportit. E nëse ndodh kështu për Çorton do të jetë trofeu i dytë me skuadrën vlonjate, ndërsa ka qenë pjesë e këtij ekipi dhe dy vjet më parë. “E kam fituar titullin kampion me Flamurtarin dhe dy sezone më parë dhe ishte një moment i rëndësishëm për mua. Ndaj kërkoj ta fitoj përsëri. Ne shpresojmë që të zhvillojmë një ndeshje më të mirë se sa ajo e fundit në Tiranë, që në fakt duhet ta kishim fituar. Por kemi humbur vetëm për gabimet tona në fund. Shpresoj që së bashku me pjesën tjetër të ekipit t’i dhurojmë një tjetër titull, ndërsa shpresojmë në një Pallat Sporti të tejmbushur për të na përkrahur gjatë gjithë takimit dhe më pas të festojmë të gjithë së bashku”, ka theksuar Çorto, kurse Flamurtari ka shansin për ta mbyllur çështjen titull në Vlorë, ndërsa Tirana do të bëjë gjithçka për ta çuar gjithçka në ndeshjen e pestë të dielën në “Asllan Rusi”.    

Elton Nika

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here