JAVA E 11-TË | Luhet në arrati dhe pa tifozë, por mbetet gjithçka në vend

Java e 11-të solli ndeshje tejet interesante, por mbi të gjitha 5 fitues. Asnjëra nga takimet nuk përfundoi në barazim, megjithatë është po aq interesant fakti se nuk ka asnjë ndryshim sa i përket pozicioneve të skuadrave në tabelën e klasifikimit. Nuk ishte një javë e zakontë, kjo për shkak se dy ndeshje u luajtën në fusha asnjanëse, ndërsa dy takime të tjera u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe pa praninë e tifozëve.

Teuta e priti në Shijak Tiranën, në një ndeshje që pati një përmbysje dhe që i zhyt akoma dhe më shumë bardheblutë në krizë. Edhe pse 24 –herë kampionët e vendit shënuan gol të parët me Hasanin, i cil irealizoi direkt nga goditja e këndit, “djemtë e detit” realizuan dy herë në pak minuta me Bicajn. Skuadra e Memës vijon paraqitjet negative dhe vijon të mbetet me 9 pikë. Ekipi i Shkëmbit në krahun tjetër i afrohet me vetëm 1 pikë Kukësit të vendit të tretë. Tirana nuk po arrin të reagojë as pas largimit të Ze Marias.

Kukësi mori një goditje të madhe në Kamzë, ku për të parën herë këtë sezon kishte dhe tifozët me vete. Flamurtari mori për të parën herë një fitore në transfertë me Kukësin, diçka që nuk e kishte arritur kurrë më parë. Një ndeshje me ritëm dhe mjaft e bukur, për të mos thënë nga më të bukurat e këtij edicioni deri më tani. Veliu dhe më pas Bushiç arritën që të mposhtin verilindorët në pak minuta në pjesën e parë. Shpehar hapi ndeshjen në fraksionin e dytë, por vetëm kaq. Ishte humbje e rëndë për kuksianët të cilët marrin disfatën e 3 në 5 ndeshjet e fundit në kampionat. Kreu mbetet larg dhe presioni rritet, duke ditur që e kërkojnë me patjetër titullin kampion.

Të shtunën ishte radha e Luftëtarit dhe Laçit që të zbrisnin në fushë që në orën 14:00. Në Gjirokastër stadiumi ishte i boshatisur dhe ndeshja ishte e zymtë si atmosfera në një “shkretëtirë”. Nga një rast në pjesën e parë për secilën skuadër dhe goli i Shtubinës në fraksionin e dytë mund të veçohen në këtë takim. Kurbinasit marrin një fitore që u shërben shumë nga ana psikologjike, pasi vinin nga dy humbje dhe ishte larguar trajneri, por gjithashtu mbeten afër zonës europiane. Humbje me peshë për gjirokastritët që thyhen në shtëpi dhe mbeten sërish në “ujëra të turbullta”, e njëkohësisht nuk gjejnë stabilitet.

Në mbrëmje ishte radhë e skuadrave të kreut për të treguar muskujt. Skënderbeu nuk e pati dhe aq të lehtë ndaj Kastriotit. Sërish Gjergji Muzaka vendimtar për korçarët që thyejnë skuadrën që ,mbyll klasifikimin. Krutanët mbeten në fund dhe regjistrojnë humbjen e radhës, por me këtë paraqitje mund të japin shpresë se janë end enë kohë për të bërë kthesën, e për të pretenduar mbijetesën. Nica ka besim, por duket shumë e vështirë në planin e parë.

Partizani po ashtu nuk e pati të lehtë në ndeshjen me Kamzën, pasi u desh një gol nga një goditje standarde për t’u rikthyer te fitoja pas humbjes me Skënderbeun. “Demat” mund të thuhet se bënë mjaft mirë, pasi në pjesën e parë goditën dy herë portën, por iu anulua dhe një gol. Në fraksionin e dytë skuadra nga periferia e kryeqytetit goditi një herë shtyllën, por vetëm kaq, pasi nuk mundi që të merrte pikë ndaj të kuqve. Partizani mbetet vetëm 1 pikë lar Skënderbeut, ndërsa Kamza i ndërlikon akoma dhe më shumë pozitat e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *