Jashanica sheh nga vetja: Po gabuam ne, asgjë s’ka vlerë

0

Leonard Trebicka

Edhe këtë herë, një ditë para ndeshjes, klubi korçar mendoi ta lërë “pushim” Dajën, teksa në konferencë shtypi ka dalë dje Bajram Jashanica. Në orën 13:30, mbrojtësi kosovar ishte përpara gazetarëve dhe foli për ndeshjen e sotme me Korabin, rivalët e titullit, por edhe për aleancat. Ai theksoi se, nëse Skënderbeu i fiton të gjitha ndeshjet, aleancat nuk kanë çfarë t’i bëjnë në garën e titullit:

– Jashanica, pas fitores në Vlorë dukeni në humor…

– Po, kemi kaluar momentin e vështirë psikologjik dhe kemi lënë pas krahëve ecurinë negative të javëve të fundit. Por, nëse e mendojmë tamam, nuk është se kemi bërë diçka të madhe. Kemi bërë thjesht detyrën tonë dhe duhet të vijojmë kështu.

– Pas Flamurtarit, një ndeshjen e thjeshtë me Korabin, apo jo?

– Jo, nuk është e thjeshtë. Korabi është në fund të tabelës, pa objektiv, por nuk mund ta nënvlerësojmë, sepse edhe kjo ndeshje vlen si gjithë të tjerat. Kështu, do të jetë maksimalisht të përqendruar në fushë. E kemi një eksperiencë të keqe dhe nuk duhet të përsërisim gabimet e së kaluarës. E dimë çfarë ndodh, nëse e nënvlerëson kundërshtarin.

– Këtë sezon Skënderbeu duket më i dobët. Çfarë po ndodh me këtë ekip?

– Për të qenë i sinqertë, e pranoj se nuk jemi ai ekip i fortë sa vjet, por mbetemi të fortë dhe të aftë për të luftuar për titullin. Në ecurinë tonë ndikojnë shumë faktorë, duke nisur nga ndryshimi i trajnerëve, për të vazhduar me lojtarët. Nuk është e lehtë të përshtatesh menjëherë. Kjo bën të mos jemi gjithmonë të njëjtë sa i përket forcës, por Skënderbeu është gjithmonë pretendent për trofe.

– Keni ende shpresa për titullin?

– Sigurisht që po, përderisa matematika na lejon. Do ta provojmë deri në fund.

– Pse Skënderbeu nuk fiton me rivalët e titullit?

– Të them të drejtën, kemi luajtur më mirë se rivalët, por na ka munguar fati në këto takime. E kam fjalën për takimet e fundit me Kukësin dhe Partizanin, ku kemi dominuar. Me pak fat mund të merrnim rezultate më të mira.

– Mbrojtja ka pasur defekte, këtë e vërtetojnë golat e pësuar…

– Nuk duhet ta analizojmë kështu përgjegjësinë, duke e lënë vetëm te disa lojtarë, sepse për mbrojtjen duhet të kujdeset gjithë ekipi. Duhet të kishim qenë më të përqendruar dhe më të orientuar, në mënyrë që ekipi të funksionojë si bllok. Nuk mendoj se jemi një mbrojtje e ngadaltë. Jemi lojtarë me përvojë, thjesht duhet të jemi më të përqendruar në çdo moment, veçanërisht në goditjet standarde të ekipit kundërshtar.

– Cili është për ju rivali juaj më i vështirë?

– Të dy janë shumë të fortë. Kukësi ende nuk ka humbur dhe kjo tregon forcë, por edhe Partizani po kryeson kampionatin. Kemi edhe nga një ndeshje me secilin dhe kam besim se këtë herë fati do të jetë në anën tonë, pasi deri tani na ka kthyer shpinën.

S’duhet të merremi me rivalët, por të fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura, që janë si finale, që nga kjo me Korabin. Nëse rivalët tanë gabojnë, më mirë për ne. Janë 8 finale dhe nuk duhet të gabojmë në asnjërën prej tyre.

– Latifi në një formë shumë të mirë. Duhet të luani më shumë ju për të apo ai për ekipin?

– Pak nga të dyja. Latifi po tregon formë të mirë. Duhet të na mbështetë në fazën mbrojtëse dhe ne të vihemi në shërbim të tij.

– Ju druheni aleancave, pasi po përflitet për një tolerim që këtë javë në Shkodër?

– Nuk dua të merrem me të tilla gjëra. Normalisht, u trembemi aleancave, por së pari duhet të shohim veten tonë. Nëse gabojmë, asgjë nuk ka vlerë. Nëse fitojmë, atëherë nuk na interesojnë aleancat.

– Por jo gjithçka varet nga ju…

– Po, e drejtë, por janë 8 javë dhe le të ecim kështu, fitore pas fitoreje. Nëse e bëjmë këtë, jam i bindur se do të shpallemi kampionë. Kemi skuadër shumë të fortë dhe do t’ia dalim.

LAJMET E FUNDIT

Presidenti Takaj ndjek stërvitjen

Presidenti Ardjan Takaj dhe zëvendësi i tij Arlind Boshku, dje në mesditë mbërritën në Korçë dhe në orën 15:30 ishin prezentë në stadiumin “Skënderbeu”, duke ndjekur seancën e fundit stërvitore. Këtë herë “bosi” i korçarëve është dukur më i qeshur, pas fitores në Vlorë, ndërsa sot pret fitoren e sigurt. Pas stërvitjes, Takaj ka takuar futbollistët, të cilëve mësohet t’u ketë thënë: “Kemi edhe 8 javë dhe, nëse marrim 24 pikë, do të jemi të parët në finish. Nuk ka tolerim me asnjë skuadër, as me Korabin. Fatin e titullit e keni vetë në dorë, prandaj të fitojmë çdo ndeshje, nga Korabi e më pas me radhë. Kam besim se do t’ia dilni.” Sot në mesditë presidenti do të ketë edhe një takim me të tijtë, pasi do të marrë pjesë në analizën e fundit, kurse në orën 16:00 do të jetë në tribunë.   

Predesku pritet titullar ndaj Korabit

pas seancës së fundit stërvitore janë konfirmuar 4 mungesat për takimin e sotëm, që janë dy të dëmtuarit Lilaj dhe Idrizaj, si dhe dy të skualifikuarit Osmani dhe Mici. Për formacionin mund të ketë vetëm ndonjë dilemë nga ana e trajnerit Daja, i cili sot mund të çlodhë edhe Xhejmsin. Në portë është Shehi, në mbrojtje Vangjeli dhe Gavazaj nga krahët, dhe Radas e Jashanica në qendër. Në mesfushë, Orelesi është i sigurt, ndërkohë që Daja mund të aktivizojë Predeskun dhe Nimagën para tij. Muzaka dhe Latifi janë dy sulmuesit e krahëve, pas Hamdi Salihit. Ky pritet të jetë 11-shi i Skënderbeut sot.

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut, 4-3-3

Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Gavazaj – Orelesi – Xhejms – Predesku – Muzaka, Latifi – Salihi

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image