Jashanica mbyll merkaton: Ofertat nuk ishin ku i prisnim

Kosovari ishte më i kërkuari në merkaton dimërore, por zbulon arsyen pse nuk u shit. Tani mendon vetëm për të fituar gjithçka me Skënderbeun

Ofertat kanë qenë të shumta dhe nga klube të mira, por nuk kanë qenë në atë nivel që duhej. Pra, nuk përmbusheshin pritshmëritë e klubit dhe të miat. “Tashmë gjithçka besoj se është mbyllur dhe mbetet të shohim në merkaton e verës çfarë do të ndodhë” – ka thënë dje mbrojtësi Bajram Jashanica, duke sqaruar situatën e tij në lidhje me merkaton dimërore. Qendërmbrojtësi i Skënderbeut ishte në krye të listës së atyre që pritej të shiteshin, por kjo gjë nuk ndodhi. Jashanica thekson se është i përqendruar vetëm te Skënderbeu dhe se synon të fitojë titullin para një largimi të mundshëm në verë.
MERKATO – Pse Jashanica nuk lëvizi në merkaton dimërore? Përgjigjet vetë lojtari: “Së pari, dua të them se kam një kontratë me Skënderbeun dhe jam përqendruar te ky ekip dhe objektivat e tij për këtë sezon. Duam të rikthejmë titullin në Korçë. Merkatoja e tillë është, gjithçka varet nga menaxheri dhe presidenti Takaj. E kam lënë në dorë të tyre. Kam pasur oferta të shumta, madje dhe nga klube të mira, por nuk kanë qenë në atë nivel që duhej. Nuk janë përmbushur pritshmëritë e klubit dhe të miat. Tashmë gjithçka besoj se është mbyllur dhe mbetet të shohim në merkaton e verës çfarë do të ndodhë.

RISTARTI – “Humbja në Gjirokastër me Luftëtarin na mërziti mjaft, sidomos për lojën. Ishte një nisje aspak e mirë e vitit, por të paktën treguam karakter dhe reaguam në ndeshjen pasardhëse ndaj Teutës në kupë dhe më pas në Shkodër përballë Vllaznisë në kampionat. E harruam shpejt atë humbje, ku nuk ishim ekipi i 2017-ës. Kjo është karakteristikë e një ekipi të madh, që reagon shpejt. Ne këtë bëmë”.

SEZONI “Të them të drejtën, në dy ndeshjet e fundit kemi bërë paraqitje të mirë dhe them se jemi sërish në atë ritëm ku ishim para pak kohësh, teksa dominonim në çdo fushë. Titulli? Përderisa jemi me 8 pikë para, do të thotë se titulli është më pranë Korçës. Skënderbeu luan vetëm për titullin dhe synon ta sigurojë sa më parë atë. Nëse rivalët gabojnë, më mirë për ne.

FLAMURTARI “Është një ndeshje shumë e vështirë Për të dyja palët. Luajnë dy vendet e para dhe kjo është normale. Nuk mund të them se është një ndeshje vendimtare për titullin. Ka ende shumë javë për të luajtur. Një fitore do të na shkëpuste më shumë nga ndjekësit dhe do të kërkojmë me çdo kusht tri pikët. Në fushën tonë nuk duhet të falim askënd. Në këtë ndeshje të vështirë një fitore na e lehtëson punën, – e mbyll prononcimin e tij mbrojtësi Jashanica.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *