Jashanica: Larg titullit? Rivalët na e kanë frikën

0

Leonard Trebicka

“Kemi edhe 10 ndeshje të tjera, që për ne janë si finale të gjitha. Nëse shfaqet Skënderbeu i vërtet në këto javë të mbetura, çfarë do të thoshin të tjerët? Asgjë nuk ka përfunduar. Kemi shanset tona dhe kemi shumë besim se do t’ia dalim. Kampionët nuk dorëzohen kurrë.” Ky është mendimi i mbrojtësit Bajram Jashanica në lidhje me çështjen e titullit. Ai ka qenë pjesë e infermierisë ditët e fundit, por sot pritet të bashkohet me grupin. Ja intervista e plotë e Jashanicës, i cili flet për pjesën e mbetur të kampionatit dhe sfidën e radhës me Partizanin.

– Jashanica, një javë pa ndeshje zyrtare, ndërkohë që përpara është Partizani. Si është gjendja e skuadrës?

– Ka qenë një javë e qetë, që na ka bërë mirë, pasi vinim pas atyre rezultateve jo të mira dhe reflektuam disi. Nesër (sot) hyjmë në javën anti-Partizani dhe gjithçka fokusohet aty.  Në fakt, që pas Kukësit kemi filluar të mendojmë për këtë ndeshje, por emocionet shtohen, kur ditët pakësohen.

– Keni pasur një dëmtim ditët e fundit. E keni kaluar, kur mund të bashkoheni me grupin?

– Mendoj se e kalova dhe thjesht duhet të kem kujdes ditët e para të kësaj jave. Ishte thjesht një kontraktim, pra jo ndonjë shqetësim i madh. Sigurisht, këtë javë do të jem pjesë e grupit.

– Ndoshta këto pushime erdhën në kohën e duhur, pasi psikologjikisht nuk ishit në lartësinë e duhur, apo jo?

– Mendoj se në ndeshjet e fundit kemi zhvilluar lojëra të mira, por nuk kemi pasur fat. Me Teutën luajtëm mirë në Korçë, por nuk morëm më shumë se një pikë. Më pas, ndaj Tiranës meritonim fitoren, ashtu si dhe me Kukësin, ku fitorja ishte shumë pranë, por u ndëshkuam vetëm në minutat e fundit.

– Dhe barazimi me Kukësin pati kosto për Skënderbeun, sepse zbriti në vend të tretë…

– Ishte një barazim ,që nuk e prisnim. Tifozët kishin mbushur stadiumin, duke pasur shumë besim te fitorja, ashtu si ne vetë, por fati nuk ishte me ne në atë ndeshje. Të gjithë u mërzitëm, sepse lamë 2 pikë, por ajo që tashmë ka përfunduar nuk kthehet më pas. Nuk kemi çfarë të bëjmë tani, veçse të shohim përpara.

– Me 3 barazimet e fundit Skënderbeu sikur i është larguar titullit. Ju si mendoni?

– Jo, këtë nuk e pranoj. Kemi edhe 10 ndeshje të tjera, që për ne janë si finale të gjitha. Nëse shfaqet Skënderbeu i vërtet në këto javë të mbetura, çfarë do të thoshin të tjerët? Asgjë nuk ka përfunduar. Kemi shanset tona dhe kemi shumë besim se do t’ia dalim. Kampionët nuk dorëzohen kurrë.

– Sa shanse ka realisht Skënderbeu për titullin e radhës, kur ka përpara në renditje Kukësin dhe Partizanin?

– Shanset janë, sepse jemi vetëm dy pikë larg vendit të parë. Nuk është ndonjë diferencë e madhe dhe them se Skënderbeu ka po aq shanse për trofeun, sa ka pasur edhe më parë. Kukësi dhe Partizani janë para me pikë, por na e kanë frikën.

– Por ju e keni “malore” këtë fazë finale të kampionatit, duke nisur nga ndeshja me Partizanin…

– Po, e dimë që ndeshjet janë të vështira, por luajmë njësoj si në shtëpi ashtu edhe në transfertë. Nuk ndryshon asgjë në këtë drejtim për ne. Ndeshjet duhet t’i marrim një e nga një dhe radhën e ka Partizani.

– Mos ndoshta Skënderbeu tani është përqendruar më shumë te Kupa e Shqipërisë? Si ju duket Teuta?

– Kupën e duam, kjo është e vërtetë. Nuk e kemi fituar asnjëherë dhe këtë vit jemi shumë pranë. Nuk do të falim, por për të mendojmë kur t’i vijë radha. Teuta është një skuadër shumë e fortë, por kemi shanse ta sigurojmë finalen dhe më pas trofeun e Kupës së Shqipërisë.

– Të kthehemi te Partizani. Si e mendoni këtë ndeshje?

– Është një ndeshje e vështirë, nuk ka diskutim. Partizani pretendon këtë sezon titullin kampion dhe shanset janë të barabarta. Do të bëjmë ç’është e mundur ta fitojmë këtë ndeshje dhe do të shkojmë vetëm për fitore në këtë transfertë shumë të fortë.

– Kukësin dhe Partizanin nuk i keni mundur asnjëherë këtë sezon. Pse, sipas jush?

– Nuk kemi pasur fat, sepse ndaj këtyre ekipeve kemi zhvilluar lojëra të mira. Ndodh që kur ndeshesh me skuadra të forta nuk shprehesh si duhet, por e bëmë së fundi me Kukësin dhe nuk patëm fat. Ndoshta këtë herë, në ndeshjen e fundit të fazës së tretë, do të gëzojmë ne. Me Partizanin shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv, që për ne është fitorja. Çfarë do të ndodhë realisht, nuk di ta them me siguri. Jemi optimistë se do t’ia dalim, ashtu siç ia doli Partizani fazën e dytë në Korçë.

– Në këto 10 ndeshje të fundit edhe kalendarin e keni kundër…

– Nuk ka kalendar të vështirë apo të lehtë, sepse me çdo skuadër do të ndeshesh. Jemi Skënderbeu dhe si ndaj Korabit, ashtu edhe ndaj Partizanit e Kukësit, duhet të bëjmë detyrën tonë.

– Për Partizanin keni pasur më shumë kohë në dispozicion. Sa ndikon ky fakt?

– Koha është e mjaftueshme, pasi kemi pasur dy javë për ta përgatitur këtë ndeshje. Ndeshjet ngjishen tani, por Skënderbeu e ka grupin për ta përballuar një gjë të tillë.

– Sa forcë ka Skënderbeu për të lënë pas javët negative dhe të sulmojë kreun?

– Skënderbeu e ka treguar veten në 6 sezonet e fundit. Kemi pasur ditë të mira dhe të këqija, por në fund ia kemi dalë. Kështu besoj se do të ndodhë sërish. Ne do ta sulmojmë kreun dhe besojmë se do ta kapim, sepse edhe rivalët tanë do të kenë ditët e tyre jo të mira. Ne i kaluam këto ditë dhe do të rikthehemi te fitoret.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.