“Japonia manipuloi ndeshjen e fundit në grup”

Federata Senegaleze e Futbollit i ka kërkuar FIFA-s që të ndryshojë rregulloren në lidhje me fair-play, pas eliminimit të bujshëm në Kupën e Botës për shkak se kishte marrë më pak kartonë të verdhë se Japonia, një prej rivaleve në fazën e grupeve në Botërorin 2018.

Rregullorja e re parashikonte pikërisht numërimin e kartonëve, nëse dy ekipe ishin me pikë dhe golaverazh të barabartë dhe kishin dalë barazim në sfidën direkte.

Kjo ndodhi me Senegalin e Japoninë dhe aziatikët u kualifikuan pikërisht për shkak të numrit më të ulët të kartonëve, gjë që ka tërbuar Senegalin, që tani akuzon hapur për trukim, sepse Japonia në fund të ndeshjes kundër Polonisë praktikisht po ecte në fushë, duke u munduar të mos kryente asnjë faull.

“Në të ardhmen FIFA do duhet të ndëshkojë ekipet që luajnë kështu. Sistemi i ri është i gabuar, fair-play nuk zgjidh asgjë, sepse Japonisë nuk i ndodhi gjë pas ndeshjes kundër Polonisë, edhe pse u pa qartë që për minuta të tëra nuk po luante futboll, për të evituar kartonët. Federata beson se Japonia e la lojën kur mësoi se Kolumbia shënoi ndaj Senegalit. Sjellja e Japonisë i dha kualifikimin, por ishte shkelje e principeve të qeverisë së futbollit.

“Edhe vetë trajneri japonez e pranoi në konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke konfirmuar se e mori vendimin për të manipuluar rezultatin, duke ulur krejtësisht ritmin e lojës. Federata e Senegalit denoncon mungesën e lojës së ndershme nga japonezët dhe i kërkon FIFA-s që të ndryshojë rregulloren, sepse fair-play është shkelur ëndë dhe nuk ka asnjë ndëshkim”, deklaroi për BBC zëdhënësi i Federatës së Senegalit, Kara Thiune.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *