Janina dëshiron të mbajë Lilën, Kukësi mund të jetë surpriza!

0

 

Lojtari i kombëtares ndihet i lumtur në Greqi, por sigurisht i mungon Shqipëria, aty ku do t’i hapnin dyert verilindorët. Megjithatë, gjithçka varet nga titulli, që do të thotë pjesëmarrje në Champions

Para pak javësh u gjend nën “furtunë”, për një video ku bënte humor me hoxhallarë e priftërinj, por që u transformua në një çështje delikate dhe i hapi shumë probleme në Greqi. Megjithatë, Andi Lila kërkoi falje publikisht, duke mos u ndëshkuar nga Janina, ku shënoi edhe gol në ndeshjen e fundit të sezonit. Ishte gol lamtumire, duke parë se vetë Lila e ka bërë të qartë se ka oferta të rëndësishme dhe pret të transferohet në Azerbajxhan. Megjithatë, tashmë Janina bën llogaritë dhe e ka kuptuar që lojtarë si Lila nuk ka shumë në qarkullim, për shumë arsye. Titullar i paprekshëm në Janinë, Lila është tashmë një veteran aty dhe ka një marrëdhënie të shkëlqyer me klubin dhe sidomos trajnerin Janis Petrakis. Nëse ky i fundit qëndron, nuk është çudi që Lila të pranojë ofertën e Janinës, që i ka ofruar kontratë të re dy-vjeçare. Natyrisht, Lila do të zgjedhë ofertën më të mirë ekonomike, por fakti që Janina i ofron rinovimin është sinjali më i qartë se sa e vlerësojnë në Greqi, përtej problemeve që i lindin herë pas here.

Kriza – Natyrisht, Janina është një klub ekonomikisht jo edhe shumë i fort në Greqi,duke u nisur nga fakti se pikërisht në vendin helen, disa skuadra këtë sezon kanë qenë në shënjestër shpesh edhe nga federata për vonesa rrogash dhe kanë kaluar jo pak vështirësi. Në këtë pjesë, Lila ka qenë i pafat,pasi edhe në Serinë A luajti me Parmën, që falimentoi dhe, madje, i ka ende disa rroga të padhëna, ashtu sikurse edhe ndodhi me Janinën kohë më parë,kur vetë Lila hoqi dorë nga ato rroga vetëm që të kalonte në Itali.

Rikthimi – Sigurisht, për mbrojtësin e Shqipërisë, gjatë kësaj vere mund të konkretizohet kalimi në Azerbajxhan, por mund të realizohet edhe një rikthim në Shqipëri, ku disa skuadra janë gati që të paguajnë një rrogë aspak të keqe për të. Në fakt, Kukësi është ekipi që mund të tentojë goditjen e madhe, duke qenë se në rast se do të shpallet kampione do të ketë mundësi që të përfaqësojë futbollin tonë në Champions League. Presidenti i verilindorëve, Safet Gjici, në rast kurorëzimi, jo vetëm që nuk do të hiqte dorë nga shpenzimet e mëdha, por do të fitonte edhe më shumë besim dhe sidomos optimizëm për të ndërtuar një skuadër edhe më shumë konkurruese. Rroga e Lilës, aktualisht, është mes 15 mijë eurove në muaj dhe lojtari e di mjaft mirë se atë shifër s’mund ta fitojë aspak në Shqipëri, por në rast se do të gjendej një klauzolë, atëherë gjithçka mund të bëhet e mundur.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here