Jang Bojs eliminoi Dinamon para pak javësh, e has sërish në Europa League

Në letër, Jang Bojs i Bernës është rivali më pak i njohur për Skënderbeun, krahasuar me Partizanin e Beogradit dhe Dinamon e Kievit.

Megjithatë, zviceranët nuk janë aspak një klub modest, sepse janë shpalluar 11 herë kampion në Zvicër dhe kanë fituar 6 herë kupën e Zvicrës.

Në arenën ndërkombëtare Zvicra ka vite që krenohet me Bazelin, por edhe Jang Bojs ka shkruar histori, duke shkuar deri në gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve në sezonin 1958-59.

Në total, Jang Bojs ka luajtur 111 ndeshje në kupat e Europës, me 42 fitore, 23 barazime e 46 humbje.

Pas një periudhe krize në vitet ’90, shekulli i ri pa ringritjen e Jang Bojs, që merr pjesë rregullisht në kupat e Europës dhe prej 2012-2013 ka marrë pjesë 3 herë në grupet e Europa League.

Këtë vit Jang Bojs mori pjesë në kualifikueset e Champions League, ku në turin e tretë eliminoi bujshëm Dinamon e Kievit, duke u mundur 3-1 në Ukrainë e duke fituar 2-0 në shtëpi. Në play-off zviceranët u eliminuan nga CSKA e Moskës. Tani shorti e detyron të ndeshet sërish me Dinamon e Kievit, diçka e rrallë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *