Janë gënjeshtra, ishte aksident/ Teqja flet për herë të parë: Më e keqja kaloi, do kthehem në fushë

Ajo që tronditi futbollin në Shqipëri dhe jo vetëm, në ditët e fundit, ishte ngjarja e Aldo Teqjas. Portieri i dytë i Partizanit është hedhur nga kati i gjashtë i pallatit. Mrekullitë ekzistojnë dhe prova është padyshim rasti në fjalë, pasi Teqja ka mbijetuar.

Tashmë i shtruar në Spitalin e Traumës, më e keqja duket se ka kaluar. Vetë protagonisti ka folur për herë të parë për “Top Channel”: Ndihem mirë dhe më e keqja kaloi. Do të kthehem shpejt në fusha”, ka thënë portieri i të kuqëve.

Ndërkohë nga ana tjetër, babai i Aldos, Ramazan Teqja ka nxjerrë një version të ri dhe duke hedhur poshtë se ka rënë nga pallati pas konfliktit me të dashurën: “Dua të përgënjeshtroj të gjitha mediat dhe portalet, djali im ka pësuar një aksident. Gjithashtu dua të falenderoj të gjithë stafin e spitalit të traumës, Klubin Partizani dhe Federatën Shqiptare të Tutbollit për ndihmën që na kanë dhënë. Gjithashtu dua të theksoj se e fejuara e djalit së bashku me prindërit e saj kanë qenë këtu me ne që nga dita e parë dhe deri më tani. Aldo do të kthehet shumë shpejt si kampion”, ka thënë Ramazan Teqja. /Sport Ekspres/