Jakovljeviç presion Skënderbeut: Në Vlorë kanë pak shanse

0

Elton Nika

Mbërriti në muajin janar te Flamurtari dhe mund të konsiderohet pa frikë një lëvizje mjaft e mirë. Mbrojtësi Ivan Jakovljeviç ka qenë një ndër titullarët me lojën me konstante te vlonjatët. Ai ka munguar vetëm në një përballje zyrtare që nga momenti, kur është bërë pjesë e Flamurtarit, për shkak të një kartoni të kuq. Në gjithë ndeshjet e tjera, serbi me pasaportë kosovare ka luajtur nga minuta e parë dhe nuk është zëvendësuar.

OBJEKTIVI – Për Jakovljeviçin vlerësimet kanë qenë maksimale nga të gjithë në kampin vlonjat. Paraqitja e tij i ka bindur se mbrojtësi është një garanci për lojën e Flamurtarit, pasi ndihmon ekipin edhe në aspektin sulmues. Mbrojtësi kërkon vazhdimësi, pas fitores me Korabin, duke gjykuar nga fakti se tani pikët janë shumë të çmuara. “E rëndësishme është që ekipi të vijojë në rrugën e rezultateve pozitive, sidomos në fushën e tij, pavarësisht se luajmë me Skënderbeun. Natyrisht, jam informuar për rëndësinë që ka te tifozët kjo ndeshje dhe pres një stadium plot, pres më shumë mbështetje ndaj nesh për të shkuar te fitorja, që len shumë në këtë moment. E kemi mbyllur fazën e tretë me fitore, por kemi humbur shumë pikë. Në vazhdim nuk mund të bëjmë të tilla gabime dhe pse të mos e nisim këtë fazë të fundit me një fitore. Flamurtari duhet të shkëputet sa më shpejt nga vendet e fundit dhe t’i largohet përfundimisht rrezikut të rënies nga kategoria. Vendi ku jemi nuk është aspak i merituar për skuadrën tonë, sepse kemi lojtarë me shumë cilësi. Ndonjëherë, në ndeshje të veçanta, duhet edhe pak fat, që ne na ka munguar. Jam i bindur se shumë shpejt do të jemi më lart në renditje, nuk do të presim javën e fundit për të siguruar qëndrimin në kategori”, – ka theksuar fillimisht mbrojtësi i Flamurtarit.

SKËNDERBEU – Jakovljeviç ka folur më tej edhe për kundërshtarin e nesërm: “E pashë Skënderbeun në mesjavë, kur fitoi 1-0 ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Teutën. Pranoj se ka një ekip cilësor, ende në luftë për titullin kampion, edhe pse 5 pikë pas rivalëve. Shpreh vlerësimet për kundërshtarin, por nuk do të thotë se e kemi frikë. Përkundrazi, do të kërkojmë vetëm fitoren në këtë ndeshje dhe këtë fakt ata duhet ta dinë mirë. Në Vlorë do ta kenë të vështirë, ashtu siç kam mësuar se e kanë pasur gjithmonë këtu. Shanset për të fituar i kanë të pakta, sepse ne jemi në një situatë, ku na bën punë vetëm fitorja. Dhe besoj se do t’i marrim për të vijuar më të qetë në rrugën tonë”, – ka përfunduar mbrojtësi i Flamurtarit, Ivan Jakovljeviç.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.