Ja arsyet e dorëheqies nga Tomori, Devolli: Ekipet bashkiake si jetimë në futboll

Në harkun e katër muajve të parë të sezonit 2018-2019, tekniku gjirokastrit Bledar Devolli provoi dy bankina: më parë Kamzën në Superiore për 3 javë, dhe më pas Tomorin në Kategorinë e Parë për 11 javë. Dhe nga të dyja skuadrat ai është larguar me dorëheqie, por kjo e dyta te skuadra beratase e ka domethënien më të qartë.
Në deklarimin e tij për SportEkspres.com, Devolli tregon se skuadrat me financim nga bashkia janë inferiore në raport me të tjerat që funksionojnë me predsidentë të klubeve. “Në dorëheqien time nga drejtimi i skuadrës së Tomorit, unë nuk kam patur asnjë problem me Bashkinë e Beratit, e cila e financon skuadrën. Kjo me Tomorin ishte hera e dytë që punova me ekip të financuar nga pushteti lokal dhe e kam të qartë faktin që, ekipe të tilla nën sqetullat e bashkive ndjehen si jetimë në futboll, në gjithë elementët e garës”.
Ndoshta duket paksa e dyshimtë kjo dorëheqie e Devollit nga bankina e Tomorit, pasi si shkak ai jep disa arsye, të cilat rëndom janë prezente në gjithë futbollin tonë. “Unë e kam deklaruar se kjo dorëheqie ka lidhje me mosfunksionimin e mirë të gjërave te skuadra e Tomorit, me penalizmin nga dëmtimet e ndëshkimet, por edhe nga gjykimet në dëmin e skuadrës. Projekti im ishte për një skuadër ndryshe”, kështu deklaroi Bledar Devolli pas kësaj dorëheiqe nga bankina e Tomorit, të cilën e drejtoi në 11 javë dhe grumbulloi 15 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *