Izmir Smajlaj, në nivele botërore

0

Kampioni i Ballkanit dhe i Evropës në salla të mbyllura, por dhe rekordmeni kombëtar i kërcimit së gjati, në Ankona kërceu 8.32 m

Gjergj Vyshka

Izmir Smajlaj, kampioni i Ballkanit dhe i Evropës në salla të mbyllura, por njëkohësisht dhe rekordmeni kombëtar i kërcimit së gjati, tashmë është në nivele botërore. Konfirmohet një gjë e tillë nga fakti që në një test stërvitor në Ankona, të cilin e ka kryer dje, ka kërcyer 8.32 metra. Ka qenë në kushte palestre dhe si e tillë gara nuk është zyrtare, por që për presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, që është njëkohësisht dhe trajneri i Smajlajt, ai renditet i pari me këtë rezultat në nivele botërore.

“Sepse – thotë Ruli – aktualisht nuk ka kërcyes mbi 8.20 metra. E këto janë efektet e stërvitjes që jemi duke bërë me të. Dhe bindemi që shumë shpejt do të na vijnë dhe rezultatet e kërkuara”. Aktualisht Smajlaj është shpallur Kampion Evrope me 8.08 metra në Beograd në marsin e vitit të kaluar, ndërsa e pat premtuar përpara ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, se do të jetë shumë shpetj 8.30 metra. Aktualisht Smajlaj është rekordmen kombëtar në kërcim së gjati në salla të mbyllura me 8.08 metra, si dhe në pista të hapura 8.03 metra. E tashmë që është në nivele botërore, të paktën me rezultatin e testit stërvitor në Ankona, atëherë pritet shumë prej Smajlajt.

Garat

Zyrtarisht, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, më 11 janar Smajlaj do të jetë në një miting ndërkombëtar në Stamboll. Pa harruar që do të jetë në Kampionatin Ballkanik në Stamboll, si dhe në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura në Birmingem. Gjithashtu gjatë vitit do të jetë pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, si dhe në Kampionatin Evropian që në korrik zhvillohet në Berlin. Dhe objektivi i tij kryesor, të paktën sipas asaj që pat deklaruar në një intervistë në Televizionin e San Marinos një javë më parë, është medalja në Evropianin e Berlinit. Pa lënë mënjanë garat e tjera. Por rezultati 8.32 metra në Ankona të lë të shpresosh se shumë shpejt do ta kemi përsëri medalist ndërkombëtar Izmir Smajlajn. Si në Beograd në marsin e 2017-ës…

Prezantues në festival
Izmir Smajlaj është zgjedhur një ndër prezantuesit e Festivalit të 56-të të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, i cili ka nisur dje në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ka qenë ideja e organizatorëve që krahas moderatorit Adrian Krastës të ketë dhe personazhe të njohura nga të gjitha fushat e jetës. E nga sporti është zgjedhur Kampioni i Ballkanit dhe Evropës në Atletikës, Izmir Smajlaj.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.