Ivan Balliu, gati goditja e De Biazit!

0

Anton Cicani

Ndonjëherë, historia e jetës tënde nuk është ashtu si do të kishe dashur, por mund të rezultojë me e bukur, më e paparashikueshme, por sidomos interesante, me surpriza, befasi por edhe zhgënjime… Mund të ishe bërë ky person, u bërë ai… Mund të kishe bërë këtë gjë, bëre atë tjetrën, por asnjëherë mos e kthe kokën mbrapa…

Ivan Balliu, mbrojtësi i krahut të majtë te Metz, në kampionatin francez, u rrit në Akademinë e Barcelonës, te “La Masia”e famshme, që për shumë mbetet ende një ëndërr e parealizuar. U rrit mes një grupi kampionësh, të cilët gjithashtu nuk patën shansin që të vazhdojnë të ndjekin gjurmët e Mesit & Co, por e kuptoi se dëshira e madhe që kishte për të veshur fanellën blaugrana nuk do të realizohej, pasi niveli i tij nuk i afrohej asaj që kërkonte një ndër klubet më të mëdhenj në botë dhe me një filozofi tashmë të njohur, të quajtur “La Masia”. E megjithatë, u stërvit, edhe për pak, nga Pep Guardiola, një trajner që ka fituar gjithçka në karrierën e tij.

Pas aventurës së shkurtër në Portugali, Balliu vendosi që të provonte Francën, duke u shtyrë më  në qendër të Europës dhe duke iu larguar gadishullit iberik. Pikërisht në Francë është duke përjetuar një sezon fantastik. Sigurisht, nuk është pjesë e elitës, por mjaftohet me faktin që luan me vazhdimësi, ndërkohë që Ermir Lenjani po përjeton një makth në Renë. Mes asisteve dhe paraqitjeve të mira, karakteristikat e djaloshit i kanë rënë në sy edhe Xhani de Biazit, që mendon seriozisht ta grumbullojë për sfidën ndaj Luksemburbut, miqësorja e qershorit përpara ndeshjes me Izraelin. Mungesa e Ansi Agollit, për shkak kartonash, por sidomos pasiguritë dhe luhatjet e Alijit, bëjnë që trajneri Italian të provojë pikërisht kartën Balliu. Burime pranë gazetës “Sport Ekspres”sigurojnë se shumë shpejt trajneri do të ketë edhe një komunikim me djaloshin, duke i bërë edhe ftesën. Një ftesë e cila mezi pritet nga Balliu, teksa shpresa e De Biazit është që ai të rezultojë një lojtar deri tani i pazbuluar dhe t’i ngjasojë pa diskutim shumë elementëve të peshkuar në vende të ndryshme, nga Etrit Berisha në Suedi te lojtarët e kampionatit zviceran, si Lenjani, Abrashi e kështu me radhë.  Sigurisht, Balliu shihet si një bast, por jo edhe aq. Sepse, Balliu është 24 vjeç dhe ka mundësi që të rritet akoma më shumë.

 

Djaloshi që nuk njeh paraardhësit…

Mbiemri i Ivan Balliut është Kampeni dhe ai ka lindur më 1 janar të vitit 1992. Një datëlindje e veçantë, nisur nga fakti se pikërisht pas natës së ndërrimit të viteve ka ardhur në jetë… Ai ka hapur sytë në Malaveja, provincë e Katalonjës, nga një baba shqiptar dhe një nënë spanjolle. Por, e veçanta e historisë është se Ivani nuk ia ka idenë pemës së familjes dhe në një intervistë të dhënë kohë më parë për  “Transfermarkt.de” 24-vjeçari thotë se nuk di shumë rreth origjinës së tij. “Nuk di shumë, di vetëm që paraardhësit e mi erdhën në Spanjë. Im atë është përpjekur të gjejë regjistrin e familjes, por unë nuk kam shumë informacion”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here