Iva Hnatova, nje bionde per shans te Skenderbeu!

0

 

Rrëfehet fizioterpistja e kombëtares së Çekisë, ekskluzivisht për “Sport Ekspres”, si është njohur me Skënderbeun dhe si ka mbërritur përpara ndeshjes ndaj Dinamos së Zagrebit për të qenë, pse jo një “hajmali” për kampionët

 

Leonard TREBICKA

 

Përpara tri ditësh, në stërvitjen e Skënderbeut në resortin “Tropikal” në Durrës, është vënë re prania e një vajze bionde. E qeshur me të gjithë dhe gjithmonë dëshiron të jetë pranë futbollistëve, sidomos ndaj atyre që kanë probleme me dëmtimet. Bëhet fjalë për Iva Hnatova, fizioterapisten nga çekia, e cila për të katërtin vit radhazi viziton Skënderbeun përpara ndeshjeve të mëdha, madje dëshiron që të ndihmojë edhe stafin mjekësor me njohuritë që zotëron. Te kampionët do të jetë deri më datë 25 gusht, kur do të luhet edhe takimi i kthimit kundër Dinamos së Zagrebit. E veshur me uniformën bardhekuqe të Skënderbeut, Hnatova ka rrëfyer për “Sport Ekspres” detaje interesante, ato që pak i dinë. Ja cila është Iva, biondja që në fakt bie në sy këto ditë te Skënderbeu…

-Së pari, faleminderit që pranuat të flisni për gazetën tonë…

-Kënaqësia është e imja, totalisht që do të kem mundësinë të rrëfej lidhjen time me Skënderbeun, për një gazetë me emër si “Sport Ekspres”.

-Mund të na shuani kureshtjen se përse ndodheni në Shqipëri?

– Kam ardhur sepse e kam për zemër Skënderbeun, ose siç më pëlqen ta quaj, “ekipin tim”. T’i jem pranë në një ndeshjeje kaq të madhe siç është kjo ndaj Dinamo Zagreb.

-Keni mbërritur pak ditë përpara se Skënderbeu të ndeshet ndaj Dinamo Zagreb. Keni ardhur në kohën e duhur?

-Koha e duhur për mua është gjithmonë sa herë që mbërrij te Skënderbeu. Jam e kënaqur kur shikoj që të gjithë futbollistët janë të gatshëm për në fushën e lojës. Ndërkohë që lojtarëve të cilët hasin probleme me dëmtimet, së bashku me stafin mjekësor të Skënderbeut, edhe unë iu gjendem pranë për të ndihmuar sadopak në riaftësimin e shpejtë të tyre.

-Ç’mund të na thoni për karrierën tuaj në fushën e fizioterapisë?

-(Qesh) Kam emocion kur flas për këtë temë. Unë jam mësuese për kinezologji, instruktore dhe fizioterapiste sportive. Punoj për komitetin Olimpik të Çekisë. Kam qenë me ta së fundi në Baku për lojërat e para Europiane për vitin 2015-të, apo edhe shumë herë të tjera për EYOF (Lojërat Olimpike Rinore Europiane), dy herë gjatë verës dhe një herë në dimër. Jam njëkohësisht terapiste edhe për skiatorët e spikatur çekë. Midis klientëve të mi gjithashtu janë edhe medalistë olimpikë të Republikës Çeke, por edhe nga Kandaja. Kam punuar edhe për Federatën Çeke të Basketbollit, ku mora pjesë në Europianin U-20 dhe Europianin U-18. E shumë e shumë të tjera. Por të flas për karrierën time do kohë të gjatë. Është një punë shumë e vështirë. Megjithatë, marr kënaqësi kur sportistët ndihen të gatshëm dhe në formë për të vijuar aktivitetin e tyre. Dhe, jo më kot e lashë për në fund, nuk mund të harroj bashkëpunimin tim me Skënderbeun dhe ndonjë ekip tjetër të futbollit në Çeki.

– Nuk është hera e parë që jeni te Skënderbeu. Sa herë keni qenë pranë këtij ekipi dhe çfarë keni bërë gjatë kohës që qëndroni me skuadrën?

– Kam ardhur te Skënderbeu qysh në momentin që trajner ka qenë Stanislav Levi, pra rreth katër vite më parë. Që nga ajo kohë unë kontaktoj vazhdimisht dhe vij herë pas herë për të qenë pranë skuadrës. Çfarë bëj do të pyesni ju? Kjo varet nga situatat. Nëse dikush nga lojtarët ka ndonjë dëmtim apo problem shëndetësor, jam gati ta zgjidh këtë situatë, duke ofruar njohjet e mia në këtë fushë që ai të rikuperohet sa më parë.

– Jeni gëzuar që Skënderbeu shkoi deri në grupet e Europa League dhe shpreson tashmë grupet e Champions League?

– Sigurisht që po. Madje shumë. Ndërkohë që jap të gjitha gishtat e mi, sepse me ato e kam punën time, për t’u futur në grupet e Champions League.

-Si mund ta cilësonit me pak fjalë këtë sukses të skuadrës korçare?

– Tashmë Skënderbeu ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar. Mendoj se kjo është fryt i një pune të jashtëzakonshme të bërë në këtë klub prej vitesh. Është me plot gojë një ekip më profesionist i vërtetë dhe do të shkojë shumë larg.

-Cili është lojtari më i preferuar për ju te Skënderbeu dhe përse?

-Edhe për këtë pyetje kam emocion kur përgjigjem. Të gjithë lojtarët i kam takuar gjatë këtyre katër viteve dhe janë futbollist të mëdhenj dhe nuk mund të bëj ndonjë dallim, apo të zgjedh ndonjë emër. Edhe unë jam si ata, por këtë të fundit mos ua thoni futbollistëve (qesh).

-Me kë prej futbollistëve mbani më tepër kontakte të vazhdueshme?

– Flas me të gjithë futbollistët pa përjashtim. Gjatë gjithë kohës flasim vetëm për futbollin dhe ndonjëherë edhe për gjëra të tjera. Unë nuk e shpenzoj kohën time vetëm me një lojtar, por me të gjithë, me ndonjë e kaloj vetëm kur kemi terapi për të bërë.

-IVA HNATOVA NE RESORTIN “TROPIKAL” ME PRESIDENTIN E SKENDERBEUT, ARDJAN TAKAJ DHE DR.TEKNIK TE EKIPIT KORCAR, ILIRJAN PERMETI

 

received_10207859277822422

-Çfarë marrëdhënie kemi me presidentin Ardjan Takaj, apo me trajnerin Mirel Josa?

– Kam marrëdhënie shumë të mira me presidentin e Skënderbeut, por edhe me trajnerin Mirel Josa dhe stafin e tij. Takaj dhe Josa kam kuptuar se janë njerëz që e dashurojnë futbollin dhe punojnë me pasion. Presidenti, por edhe familja e tij janë për mua si një familje e dytë, këtë dua ta theksoj me të madhe.

-Qëndroni vazhdimisht pranë stafit mjekësor të Skënderbeut. Cilat janë përshtypjet tuaja për punën e zhvilluar nga anëtarët e këtij stafi?

-Edhe për stafin mjekësor mendoj se japin më të mirën dhe shpenzojnë shumë kohë me lojtarët. Një gjë dua t’u them të gjithë futbollistëve të Skënderbeut: Të qëndrojnë të qetë, sepse janë në duar të sigurta me këtë staf mjekësor që kanë.

-IVA HNATOVA ME MBROJTESIN TEFIK OSMANI DHE MJEKUN E SKUADRES KAMPIONE TE SUPERLIGES, JORGO PANTAZIN

received_10207859276982401

-Në disa foto tuaja në facebook tregoni që keni qenë në Baku. Përse?

-Po, është e vërtetë kam qenë në Baku së fundi. E theksova më lart që jam fizioterapiste e Republikës Çeke. Madje e kishim shtëpinë olimpike përballë asaj shqiptare dhe dilja vazhdimisht në ballkon që shikoja flamurin e Shqipërisë. Madje atletët çekë shpesh herë bënin shaka me mua, duke më thënë: Je me Shqipërinë apo me ne…

-IVA NE BAKU, LOJERAT OLIMPIKE RINORE

received_10207859277382411

-Skënderbeu ndoqi përmes televizionit ndeshjen e Dinamos Zagreb ndaj RNK Split, ku edhe ju nuk munguat midis anëtarëve të ekipit korçar. Si ju duket kundërshtari i kampionëve të Shqipërisë?

-Unë jam fizioterapiste dhe një vajzë me flokë të verdha, kështu që nuk mund të gjykoj apo të thotë si është ekipi kundërshtar. Atë mund ta thonë ata që janë për atë punë.

– Do të jeni në “Elbasan Arena” ditën e mërkurë? Nëse po, me kë do të qëndroni në tribunë?

-Do të jem patjetër dhe për këtë ju garantoj. Por akoma nuk e di me kë do të qëndroj afër, sepse nuk e kam zgjidhur akoma këtë gjë.

-Skënderbeu-Dinamo Zagreb! Cili është rezultati i kësaj ndeshjeje sipas jush?

-Fiton Skënderbeu, por se sa gola do të shënojë më mirë t’ia lemë fushës.

-Po për ndeshjen e kthimit, mund të na bëni ndonjë parashikim?

-Kualifikohet Skënderbeu. Kaq mjafton besoj.

-Sa do të qëndrojë pranë ekipit, Iva, femra e vetme me uniformën e Skënderbeut pranë kampionëve?

-Do të jem pranë ekipit deri më 25 gusht. Gjatë kësaj kohe do të ndihmoj me terapi lojtarët që do të kenë nevojë.

-Çfarë këshille do të jepnit për ekipin pak ditë përpara përballjes me kampionët e Kroacisë?

-Të përqendrohen për ndeshjen, të jenë së më të qetë dhe uroj me zemër që të jenë sa më të shëndetshëm në mënyrë që t’ia dalin mbanë.

-Harruat ndonjë gjë pa na e thënë?

-Mendoj se thashë gjithçka dhe ju falënderoj që më dëgjuat në këtë intervistë.

-Së fundi, ju falënderoj për intervistën…

-Faleminderit edhe ju. Ishte një kënaqësi e madhe edhe për mua. Mendoj që duhet t’i mbajmë gishtat të kryqëzuar, të gjithë shqiptarët gjithashtu kudo ku janë, në mënyrë që t’i sjellim fat Skënderbeut që të kalojë në grupet e Champions-it.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here