Italiani i Agon Channel fundos klubin anglez me 116 vjet histori

0

E mbani mend Françesko Beketin? Është një biznesmen italian i cili ka punuar pak kohë edhe në Shqipëri, ku u mor ndër të tjera edhe me një televizion të krijuar nga zero, Agon Channel, ku mblodhi gazetarë me emër, duke paguar shifra absurde.

Gjithçka mbaroi keq, televizioni u mbyll dhe gjithë punonjësit mbetën rrugëve, me disa paga të palikuiduara, ndërsa bizneset e tjera nuk dihet ç’fund patën.

Para dy vitesh Beketi la Shqipërinë dhe u transferua në Londër, ku duke imituar Roman Abramoviçin dhe sheikët e Mançester Sitin, bleu një klub futbolli. Është mënyra më e lehtë që Anglia dhe njerëzit të të hapin dyert dhe të të mos bezdisin, por duhet seriozitet dhe fatkeqësisht, Beketi nuk është Abramoviç.

Italiani bleu Lejton Orientin, klub i themeluar 116 vjet më parë, krenaria e lagjes londineze Lejton. Para dy vitesh Lejton Orient humbi në finalet play-off shansin për ngjitje në Championship, por askush nuk e mendonte se dëshpërimi për finalen e humbur do të kthehej në makth.

Dy vite më pas, Lejton Orienti është në vendet e fundit në Ligën 2, kategoria e katërt, lojtarët më të mirë janë larguar me kohë, borxhet janë mbi 9 milionë sterlina dhe në sezonin e parë në drejtim Beketi e transformoi klubin në Big Brother, me lojtarë amatorë italianë që stërviteshin te Lejtoni të ndjekur nga kamerat në stërvitje, dhoma zhveshje e kudo tjetër. Një situatë tragjikomike, me lojtarët që duhej të luanin ndeshje kampionati dhe kamerat që rrinin në fushë, duke bërë cirk për televizionin lokal të Beketit në Itali.

Tani situata është katastrofike, sepse klubi ka 20 ditë kohë të shlyejë borxhet, pastaj do t’i konfiskohet Beketit dhe do të shitet në ankand, nga stadiumi e deri te këpucët e futbollistëve.

Tifozët kanë kohë që protestojnë, por tani kanë krijuar një trust për të mbledhur fonde për shpëtimin e klubit. Synimi është të mblidhen të paktën 100.000 sterlina për të blerë stemën e klubit, ndërkohë që i bëhet thirrje Beketit të shesë klubin urgjentisht, gjë që italiani nuk e bën, edhe pse borxhet janë pa fund. E tmerrshme!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image