Italianët ngrenë dyshime për Strakoshën: Tare e pretendon si kampion, por kush është?

Shtatë gola në tre ndeshjet e fundit të Lacios kanë bërë që Strakosha të vendoset në “kryqëzimin” e mediave italiane. Pavarësisht se nuk ka pasur shumë peshë faji në këto realizime të marra, por në fund janë vetëm statistikat ato që flasin.

Së fundmi është “Rome.corriere.it” që ka bërë një artikull për gardianin e Shqipërisë. Sipas tyre Strakosha nuk përçon siguri për ekipin. Gjithashtu me titullin: “Kush është Strakosha?”, janë munduar të japin një përkufizim më të saktë, por sërish duke u dyzuar mes dy rrugëve.

“Strakosha nuk garanton siguri. Por kush është Strakosha? Një lojtar që tashmë është shumë i besueshëm dhe i destinuar të rritet dhe të bëhet kampion ndërkombëtar. Të paktën këtë e pretendon Tare. Apo është një element i dobësisë brenda ekipit që vazhdon të bëjë shumë gabime dhe asnjëherë kalimin e vërtet në cilësi? Shpesh përçon ndjenjë të pasigurisë që kanë lënë gjurmën e tyre. Por sigurisht që për momentin nuk ka alternativa të tjera, të paktën për tani, mbetet portieri shqiptar”, shkruhet në median italiane duke pretenduar se një tjetër portier me cilësi te Lacio do ia rrezikonte së tepërmi vendin Strakoshës. /Sport Ekspres/