Italia zbulon Piçinin, Kristiano tjetër që kushton 80 milionë dhe histori si e Pelè

Pas mungesës në Botërorin 2018 dhe rinovimit të skuadrës, Italia ka nevojë për histori si ajo e Kristiano Piçinit. Në moshën 26-vjeçare, djaloshi nga Firence mori ftesën e parë me “të kaltërit”. Historia e tij, është mjaft e ngjashme me atë të Graciano Pelè: lojtar me talent, por i detyruar që të emigronte larg vendlindjes.

Në vitin 2010, kur ishte vetëm 18-vjeçar debutoi në Serinë A në fitoren e Fiorentinës ndaj Kaljarit. Por, pas atij momenti u huazua në kategoritë e ulëta, për të fituar eksperiencë dhe minuta. Nga Karrareze në Lega Pro, te Specia në Serinë B dhe më në fund te Liverno në Serinë A. Në gusht u kthye në Firence, por klubi vendosi ta huazonte te spanjollët e Betis Sevija, në Segunda Divizion.

Nëse një lojtar normal do të humbiste motivimin, Piçini shtrëngoi dhëmbët dhe pikërisht kjo e ndihmoi të ecte përpara. Pas një sezoni ku Betisi u ngjit në elitë, klubi e bleu nga “vjollcët”, por në janar 2016 këputi ligamentin e gjurit dhe qëndroi jashtë fushave për më tepër se gjashtë muaj. As ky episod nuk e demoralizoi.

Në vitin 2017 e bleu Sporting Lisbona, aty ku fitoi Kupën e Portugalisë dhe luajti në Champions League, gjatë kësaj vere u rikthye në La Liga, për t’iu bashkuar Valencias. Klubi spanjoll e bleu 10 milionë euro, ndërsa i vendosi në kontratë klauzolën e shitjes me vlerë 80 milionë euro. Fillimi i sezonit ka qenë mjaft i mirë, me tetë ndeshje si titullar në nëntë javë dhe një paraqitje mbresëlënëse në “Olld Traford” kundër Mançester Junajtid në Champions League.

Vetëm pesë ditë pas asaj ndeshje, ishte mes më të mirëve në fushë për Valencian në barazimin ndaj Barcelonës. Falë këtyre paraqitjeve të shkëlqyera, Kristiano Piçini u grumbullua nga trajneri Mançini në Kombëtaren italiane për të zëvendësuar të dëmtuarin D’Ambrozio, për ndeshjet nga Ukrainës dhe Polonisë. Një histori e bukur ajo e Kristianos italian, një djaloshi normal që nuk u dorëzuar për asnjë moment dhe u ngrit falë dedikimit absolut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *