Italia kërkon trajner, 4 emra në garë

Pas turpit historik, duke mbetur jashtë Kupës së Botës 2018, Italia mbeti pa president federate dhe kjo bëri që të mbetej bosh stoli i kombëtares, ku natyrisht Xhanpiero Ventura dha dorëheqjen. Konte, Mançini, Ançeloti dhe Ranieri janë katër emrat e përzgjedhur si kandidatët final për stolin e kombëtares Italiane. Presidenti i përkohshëm i Federatës Italiane të futbollit Roberto Fabriçini konfirmoi kandidaturat për trajnerin e ardhshëm të kombëtares axurre.

“Emrat kanë kohë që qarkullojnë në media nuk ka surpriza, Mançini është në Romë por nuk e kemi kontaktuar ende, Konte duket se ka dëshirë të rikthehet në kombëtare, Ançeloti është i pavendosur për të ardhmen ndërsa Ranieri është një alternativë tjetër që po e konsiderojmë. Asnjëri nuk është në vend të parë momentalisht, po analizojmë të metat dhe të mirat e secilit, gjithashtu na duhet të mendojmë edhe për të ardhmen e strukturës qeverisëse të federatës në mënyrë që t’i garantojmë trajnerit të ardhshëm siguri dhe mbështetjen për projektin tonë të radhës. Tani na mbetet që të vlerësojmë me kujdes hapin tonë të radhës se bashku me zëvendës presidentin Kostakurta”, deklaroi Fabriçini për gazetarët e “Sky”. Është përfolur edhe Xhixhi Di Biaxhio si trajner i përkohshëm: “Kam dëgjuar të flitet për të, por trajner i përkohshëm nuk më pëlqen si term”.

Edhe zëvendësi i tij, Alesandro Kostakurta, ka konfirmuar gjithçka: “Emrat janë ata që kanë dalë në media, persona që kanë ndarë me mua ndeshje të kombëtares, edhe asaj ushtarake. Flas për Mançinin, sa për të përmendur një kandidat. Do të nisim bisedimet dhe nuk ka pse të nxitohemi, ende pse duhet të nisim sa më shpejt. Konte bëri një mrekulli në Europianin e fundit, më ka futur në mendime. Jemi më të mirët në botë për trajnerë, ndaj duhet të jemi krenarë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *