Italia ka një Mbape, 16-vjeçari Pelegri për 25 milionë euro te Monako!

Përralla Pelegri filloi në javën e fundit të sezonit të shkuar, kur luajti titullar ndaj Romës dhe shënoi që në fillim, në ditën e lamtumirës së Totit. Tani konsiderohet e ardhmja e Italisë

Quhet Pietro Pelegri, është sulmues dhe është njeriu i momentit në Itali: rekord në fushë, rekord në tregun e futbollit. Sulmuesi i Xhenoas ka përfunduar në qendër të vëmendjes në gjithë Europën, pasi Monako e ka blerë duke mundur konkurrencën e Juventusit, për një shifër të pabesueshme: 25 milionë euro, duke përfshirë bonuset e ndryshme. Ju duken pak? E drejtë, Nejmar kushtoi 222 milionë euro dhe Mbape aty pranë, por… Pelegri është ende 16 vjeç! Asnjë lojtar në moshën e tij nuk është paguar kaq shtrenjtë, edhe pse braziliani 17-vjeçar i Flamengos Vinisius është blerë nga Reali për 45 milionë euro, por do të shkojë në Madrid në korrik, kur të mbushë 19 vjeç, ndaj praktikisht nuk konsiderohet një blerje e Realit deri atëherë. Kthehemi te Pelegri: do të fitojë një milion euro në sezon, çmenduri për moshën e tij, ndërsa kontrata është 5-vjeçare. Monako uron që ta shesë sa më shpejt për shifra 3-4 herë më të larta, e pakta. Monako është klubi që ka prodhuar një si Mbape, sa për të përmendur një emër, një klub që është industri talentesh, ndaj në Itali ëndërrojnë: po sikur Pelegri të jetë shpresa e së ardhmes?

Pelegri është nga Gjenova, transferimi në Montekarlo nuk është ndonjë dramë, pak kilometra larg shtëpisë shkon. Xhenoa e rriti, ashtu si Perin, Sturaro e El Sharaui para tij, e aktivizoi që fëmijë në Serinë A dhe Pelegri shënoi vjet dhe po shënon edhe sivjet. Ishte 22 dhjetor 2016, kur Ivan Juriç e hodhi në fushë kundër Torinos, në moshën 15 vjeç e 280 ditë, duke u bërë lojtari më i ri në historinë e Serisë A. Përralla Pelegri filloi në javën e fundit të sezonit të shkuar, kur luajti titullar ndaj Romës dhe shënoi që në fillim, në ditën e lamtumirës së Totit, i cili nuk e njohu dhe e kujtoi një nga ata djemtë që mbledhin topat pas porte. Këtë sezon Pelegri ka luajtur vetëm 6 ndeshje, 3 prej tyre titullar, por i ka shënuar 2 gola Strakoshës, gola shumë të bukur e të zgjuar.

PREZANTIMI – Dje Pelegri firmosi dhe u prezantua me fanellën e Monakos, ndërsa dha edhe deklaratën e parë si pjesëtar i klubit kampion në fuqi në Francë: “Nuk mendoj për paratë, dua vetëm të luaj dhe të zbavitem. Jam i lumtur. Kam firmosur, po, dhe jam i kënaqur që do të nis këtë aventurë. A kam biseduar me Zhardim? Jo, jo. Ende nuk kam pasur mundësinë, do ta bëj në stërvitjen e ditës së martë. Vlera e kartonit tim? E thashë, nuk mendoj për paratë, nuk më interesojnë ende në këtë moshë. Dua vetëm të zbavitem, kaq. Xhenoa mbetet lëkura ime e dytë. Çfarë do të kisha bërë nëse do të më kishin thënë një vit më parë për këtë transferim? Do të mendoja për një ëndërr, por për fat u realizua. Falënderoj Xhenoan për atë që ka bërë për mua, por ka ardhur koha që të ndahemi. Forca Monako”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *