“Italia është vendi im”! Florian Myrtaj: E mbani mend si kënduam himnin tuaj? As në San Marino nuk ndodh

Florian Myrtaj ka folur për mediat italiane, ku ka komentuar edhe gjestin e bërë nga qeveria shqiptare për t’i ardhur në ndihmë një vendi që në vitet 90’ u hapi dyert mijëra shqiptarëve. Ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi e zhvilluar karrierën e tij në Itali prej vitesh, ku mbërriti në vitin 1991 në moshën 13-vjeçare dhe u bë pjesë e të rinjve të Modenës. Sulmuesi vlonjat është shprehur se nuk habitet aspak me veprimin e qeverisë sonë, pasi populli shqiptar gjithmonë i ka qenë mirënjohës Italisë. Madje u ka kujtuar edhe episodin e veçantë në miqësoren e luajtur mes dy Kombëtareve tona në Xhenoa, ku të 20 mijë tifozët shqiptarë të pranishëm kënduan himnin Italian. Një gjë të tillë sipas tij as San Marino, i cili është një mikroshtet në fqinjët përtej Adriatikut, nuk do e kishte bërë.

“Nuk jam i surprizuar, pasi për mua është normale. Populli shqiptar i është mirënjohës Italisë, ne e konsiderojmë atë një vend miqësor. Më kujtohet ndeshja e parë mes Italisë dhe Shqipërisë që u luajt në Xhenoa. Atje ndodheshin 20 mijë shqiptarë në stadium duke kënduar himnin Italian. Madje një gjë të tillë as në San Marino nuk ndodh.

Ishte gjithashtu një gjest i duhur. Ai tha “kam doktorët në pankinë, unë nuk kam emergjencë shëndetësore momentalisht dhe megjithëse jemi të varfër po ua dërgoj ju”. Ishte një gjest i rëndësishëm altruizmi. Personalisht ndihem shqiptar, por mendoj si Italian. Jam rritur këtu. Nuk e harroj origjinënë, por jeta ime është këtu, unë e konsideroj Italinë vendin tim”, ka thënë Florian Myrtaj./Sport Ekspres/