Ismajli: VAR do më ndihmonte, Reja na ka rritur shumë

0

Ardian Ismajli është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Hajdukut të Splitit. Një vit më parë gjërat ishin ndryshe në fillim të sezonit. “Nuk po luaja dhe për këtë arsye isha i zhgënjyer, por nuk u dorëzova. Nuk luajta shumë kur trajner ishte Kopiç dhe nuk dua t’i kthehem asaj historie. Trajneri nuk më donte dhe duhet të punoja. Po prisja shansin tim”, tregon mes të tjerash Ismajli, i cili tani ka fituar një vend të rëndësishëm edhe te Shqipëria.

KOMBËTARJA – “Jam i lumtur që kam luajtur si titullar te Shqipëria, Reja na ka rritur shumë. Nuk e njeh gjuhën shqipe, por di gjuhë të tjera. Me të kemi punuar shumë në palestër dhe në fushë. Duhet të vijë të pushojë këtu, Hajduku nuk e ka harruar, edhe pse ai ka ikur prej disa kohësh”.

“Kualifikueset? Me pak fat mund të merrnim një pikë në Islandë. Grupi është shumë i vështirë, me skuadra si Turqia, Franca dhe Islanda. Nuk jemi favoritët, por mund t’ua bëjmë jetën të vështirë të tjerëve. Në shtator shkojmë në Francë dhe pastaj presim Islandën. Pas këtyre dy ndeshjeve gjërat do të jenë më të qarta për ne”, shtoi mbrojtësi qendror.

HAJDUKU – “Hajduku është një nga top klubet e futbollit kroat. Nga fillimi i sezonit do të luftojmë për vendin e parë dhe për t’u kualifikuar në Champions. Hajduku është klubi më i madh në rajon dhe jam i bindur që pas paraqitjeve mjaft të mira në pranverë ne mund të bëjmë shumë në sezonin e ardhshëm.

Europa? Jam gjithmonë optimist, por kjo nuk do të thotë që duhet ta nënvlerësojmë ekipin maltez në Europë. Jemi favorit, por turin mund ta kalojmë vetëm nëse japim maksimumin tonë”, deklaron Ismajli në intervistën e dhënë për Sportske novosti.

KARTONËT – Ismajli është nga ata lojtarë që ndëshkohet shpesh me të verdhë, por mbrojtësi këmbëngul se nëse do kishte VAR gjërat do ishin ndryshe. “Në kampionat i marr pak më lehtë kartonët, sepse arbitrat duken paksa të tensionuar nga ndërhyrjet e mia. Besoj se VAR mund të më ndihmojë mua, sepse unë së pari jam një luftëtar. Jam ky që jam”, përfundon Ismajli.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.