Isko dërrmon Italinë, Maqedonia triumfon në Izrael

Pas fitores kundër Lihtenshtejnit, Shqipëria priste me kuriozitet rezultatet e ndeshjeve të tjera në grup, natyrisht me vëmendje të veçantë në izrael. Aty luanin Izraeli e Maqedonia, në një sfidë ku shpresonim që të paktën të mos fitonte Izraeli, për të mbajtur sa më larg. Ndodhi ajo që nuk pritej, sepse Maqedonia fitoi 1-0 me një gol të veteranit Pandev në minutën e 73-të. Një ndeshje që në letër duhej të fliste për Izraelin, por duket se goditja që i dha Shqipëria ka qenë shumë e rëndë dhe tashmë edhe Maqedonia kalon në Izrael. Vetëm dominim territorial për Izraelin, sepse në treguesit e tjerë Maqedonia nuk ishte inferiore dhe fitorja ishte e merituar.

Suksesi i Maqedonisë ndërlikon shumë planet e Shqipërisë, sepse tashmë gjithçka bëhet mjaft e vështirë, me sfidën në Maqedoni që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë. Duke parë rrëmujën pas Shqipërisë, nuk është çudi që të humbasim vendin e tretë, ose edhe më keq, nëse mundemi në Maqedoni, sepse kundër Italisë dhe Spanjës do të kemi pak shanse për pikë.

Ndërkaq, Spanja masakroi Italinë, duke fituar 3-0. Ndeshje  e madhe nga Isko, autor i dy golave të parë, në minutat 13 e 40. Morata në të 77-tën vulosi triumfin iberik. Një paraqitje e dobët e Italisë, që mori 3 shuplaka të forta dhe tashmë duhet të mendojë për ndeshjet play-off, sepse vendi i parë është i Spanjës, edhe pse jo matematikisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *