Ishte strategjia! Ahmataj para derbit: Të gjithë u morën me mua, se vë në dyshim titullin kampion

Dy ndeshje shumë të rëndësishme janë këto të Tiranës në javët e ardhshme teksa fillimisht do të përballet ndaj Kukësit dhe më pas ndaj Partizanit. E kur në media ka nisur të flitet mbi këtë pjesë, Ahmataj shprehet se ekipi nuk ka asnjë presion për ndeshjen dhe betejën e kryeqytetit në aspektin sportiv.

Madje edhe ato dalje televizive që shkaktuan polemika interpretohen si një strategji, për të hequr peshën e përgjegjësisë nga shpina e lojtarëve dhe për ta marrë vetë mbi supe.

“Gjendja e skuadrës është e mirë. Problemet si të tërmetit kanë kaluar, por besoj që kemi punuar shumë këto kohë. Kemi vënë disa gjëra në rrugën e duhur dhe shpresojmë t’i marrim benefitet kësaj pune të bërë.

Normalisht po t’i shikosh ndeshjet jemi ndëshkuar nga situata që kundërshtarët me kundërsulm na kanë ndëshkuar, gjëra që duhen kohë shumë të madhe për t’u riparuar. Duhet më shumë ekuilibër taktik, gjë që mungon në momente të caktuara pasi shtyn lojtarët të dalin nga detyrat. Është mirë që ta përmirësojmë në vazhdim në mënyrë që të kemi sa më shumë ekuilibër.

Unë s’mendoj se Tirana s’ka qenë ndonjëherë favorite. Për ne është ndeshje e radhës që duhet fituar si çdo ndeshje e kampionatit. Për ne vlen 3 pikë, jo më shumë se aq. Nuk ka presion fare para derbit. Unë çdo presion e kam marrë mbi shpinë, po ta shikoni edhe në situatat e javëve të kaluara. Të gjithë janë marrë me mua. E kam anashkaluar skuadrën nga kjo pjesë. Çdo gjë do ta marr vetë përsipër.

Nuk e vë fare në dyshim objektivin për titull kampion. Besoj se ne do shkojmë përpara për të shkuar te titulli. Se sa do të arrijmë, ne kemi për detyrë të japim maksimumin si unë, ashtu edhe lojtarët sepse ne nuk kemi rezultatin në dorë. Pas atij maksimumi kemi mundësi t’i marrim ndeshjet”, tha Ahmataj. /Sport Ekspres/