“Ishte bukur për sa zgjati”! Klubi holandez çon në gjyq Federatën për vendimin e pazakontë: Nuk morët për bazë asgjë

Federata Holandeze e Futbollit doli sot me një vendim zyrtar në lidhje me fatin e kampionatit. Asnjë kampion këtë sezon ne “Eredivise”, megjithëse Ajaksi ishte në vendin e parë, por me pikë të barabarta me AZ Alkmar. Mirëpo sa i përket biletave për në Kupat e Europës, në Champions do të shkojë Ajaksi, ndërsa në fazën eleminatore të këtij kompeticioni do të shkojë edhe Alkmari. Në Europa League më pas i jept drita jeshile skuadrave të Fejnordit, PSV-së dhe Villemit.

E pikërisht këtu fillojnë të lindin edhe pakënaqësitë. Klubi i Utrektit ka vendosur të mos e lërë me kaq, teksa do të çojë në gjyq Federatën. Ekipit i është mohuar e drejta për një vend në kualifikueset e Europa League edhe pse renditen në fazën e play off-it në renditje, me vetëm 3 pikë më pak se Vilemi. Madje Utrekt kishte prerë edhe biletën për në finalen e Kupës së Holandës, ku do të shihte përballë Fejnordin, i cili është kualifikuar me këtë vendim në raundet eleminatore të UEFA-s. Prandaj sipas klubit në fjalë vendimet e marra ditën e sotme janë aspak transparente, pasi nuk është marrë për bazë asgjë. Gjithashtu shprehen të bindur se do e kishin fituar ndeshjen e mbetur me një diferencë të madhe golash e do të kishin rrëmbyer pozitën e 5-të në renditje.

Më poshtë janë edhe argumentet e shtruara nga Utrekti për të çuar në gjyq Federatën Holandeze të Futbollit:

– E papranueshme që konkurrenca në kupë të mos llogaritet

– Bileta e Kupës Europa League që jepen nga kampionati janë të pabazuara

– Ndeshja më pak në kampionat nuk merret parasysh, plus fakti që FC Utrecht do të fitonte pranë Villem II me një diferencë më të madhe të golave.

– Mungesë transparence dhe objektivitet në vendim./Halit Delibashi-Sport Ekspres/