“Ishi” i sfidës premton spektakël: Totenhem dhe Ajaks nuk janë si Atletiko

Totenhemi sontë do të presë Ajaksin në kuadër të gjysmëfinaleve të Champions League. Rafael van der Vart është një nga ish-yjet e të dy ekipeve. Holandezi ka dalë në akademinë e Ajaksit, ku ka shpenzuar edhe pesë vitet e para si profesionist. 36- vjeçari gjatë karrierës së tij të gjatë ka shpenzuar edhe dy vite me Totenhemin. Sot është ndalur të flasë për sfidën e orës 21:00.

Ai e sheh si një sfidë që do të prodhojë një futboll tërheqës. Ai shprehet se të dyja ekipet luajnë bukur, ndryshe nga ekipe të tjera që luajnë futboll të shëmtuar, ku merr si shembull Atletikon e Madridit. Sipas tij Totenhem është favorit.

“Është një gjysmëfinale ëndrrash. Janë dy ekipe ku kam luajtur më parë. Ajaks është jeta ime, ndërsa në Londër kam kaluar dy vite fantastike. Janë dy skuadra që prodhojnë futboll. Nuk më pëlqen loja me topa të gjatë dhe shumë faulle. Për shembull nuk më pëlqen loja e Atletikos, që për mua nuk luajnë futboll. Totenhemi ka disa vite në katërshen e më të mirave të një kampionati si Premier Liga. Sigurisht, do të mungojë Kejn, por ka lojtarë të tjerë dhe Ajaksi do ta ketë shumë të vështirë”, përfundoi Van der Vart.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *