Ish-portieri legjendar i Gjermanisë: Bufon nuk duhej të ishte fare në Madrid

Xhixhi Bufon gaboi pas Real Madrid-Juventus, lëshoi deklarata të rënda, foli për arbitër “kafshë”, që “duhej të qëndronte në tribunë e të hante patatina”, për “krime kundër njerëzimit në aspektin sportiv”. Ndoshta Majkëll Oliver gaboi, por të thuash fjalë të tilla është e pafalshme, sidomos kur nuk kërkon falje as një ditë dhe as dy ditë pas ngjarjes.

Në fushë Bufon ishte mbret, kreu pritje spektakolare dhe vetëm në fund e humbi toruan, duke protestuar ashpër ndaj arbitrit anglez, që i tregoi kartonin e kuq.

Megjithatë, sipas një tjetër legjende të portës, gjermanit Oliver Kan, Bufon nuk duhej të ishte fare në Bernabeu, sepse sipas tij ylli i Juventusit dhe Italisë duhej të ishte tërhequr më herët nga futbolli.

“Nuk është e lehtë ta kuptosh kur ka ardhur momenti për t’u tërhequr. Nëse Bufon do të ishte tërhequr nga futbolli më herët, nuk do kishte pësuar zhgënjimin e eliminimit nga Suedia dhe këtë eliminim të hidhur nga Reali, por e kuptoj që ka dëshirë të arrijë gjithnjë rekorde të reja dhe të fitojë Champions League”.

Vetë Kan u tërhoq në mënyrë graduale: la kombëtaren në vitin 2006, pas Botërorit, ndërsa në vitin 2008 e mbylli me futbollin e luajtur. “Mund të kisha luajtur edhe 2-3 vite të tjera, por për çfarë? Edhe Filip Lam u tregua perfekt në vendimin e tij. Nëse nuk arrin të gjesh momentin e duhur për t’u ndalur, më pas mund të bëhet shumë e dhimbshme. Unë do t’i sugjeroja Bufonit të ndalej, ka qenë kampion bote, ka qenë portieri më i mirë në botë, kaq ka rëndësi, jo kartoni i kuq ndaj Realit apo fakti që nuk e ka fituar kurrë Champions-in”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *