Ish-kuqeziu “gozhdon” Panuçin: Nuk ka bindje dhe eksperiencë në trajning

Lista e futbollistëve në Kombëtare që modifikohet në çdo grumbullim. Formacioni titullar gjithmonë i ndryshuar, në çdo ndeshje të drejtuar nga Kristian Panuçi. Në Kombëtaren shqiptare nuk ka një lider, një kapiten fiks, me shiritin që shëtit nga dora në dorë. Rreshtimi i skuadrës në fushë që ka lënë shumë vend për diskutime dhe ndërhyrjet gjatë lojës, që thuajse në asnjë rast nuk kanë ndryshuar paraqitjen apo rezultatin.

Trajneri mbetet në bankën e të akuzuarve për paraqitjet larg pritshmërive të Shqipërisë. Shija e hidhur që lanë miqësoret përpara startit të Ligës së Kombeve, sidomos humbjet me Kosovën dhe Ukrainën, u kthyen pas disfatës në Skoci. Në skuadër ka diçka që nuk shkon, dhe kjo duket hapur. Në konferencën për shtyp, përveçse foli kundër lojtarëve – diçka aspak normale kjo për një trajner, veçse nëse emri yt është Zhoze Murinjo – Kristian Panuçi akuzoi edhe për komplote kundër tij.

Njerëz pranë lojtarëve dhe që ndikojnë te kuqezinjtë. Fjalë “të hedhura në erë”, pa përmendur emra konkretë. Drejtuesi i stolit krijoi idenë se rreth tij është krijuar presion. Megjithatë, për ish-lojtarin e Kombëtares dhe ish-trajnerin e Shpresave, Redi Jupi, tashmë në rolin e analistit në “Procesin Sportiv” në “Top Channel”, problemi qëndron diku tjetër.

“Panuçi nuk po vuan presionin, por gabimet në zgjedhjet që bën. Duke mos patur bindje të forta dhe ekspeiencë si trajner, ai bën gjithmonë ndryshime. Ende nuk ka përzgjedhur 23 lojtarët më të mirë të Shqipërisë për Kombëtaren. Në çdo ndeshje ndryshon skemën dhe në çdo dy ndeshje ndryshon listën e lojtarëve të grumbullar. Ky është problemi!”, tha Jupi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *