Ironia e italianëve/ Piateku ishte veshur si fantazmë për “Halloween”, ai portieri quhet…Berisha!

Në Itali shquhen për notat e larta të ironisë që përdorin gjatë kritikave, madje edhe të një tjetër niveli. Ndërsa dje ishte Lorenzo Tonelli që i dha topin arbitrit si “lojtari i ndeshjes”, te Milan-Spal e mbyllur 1-0 duhet të ndalemi pak të vlerësimet e mediave.

Kuqezinjtë arritën të fitonin vetëm falë atij goli të Susos me aftësi individuale nga goditja e dënimit, pasi gjithçka tjetër ishte e errët dhe e frikshme, ashtu si edhe vetë mbrëmja e “Halloween”. Lidhur me këtë të fundit, “IlMessagero” e vlerëson sulmuesin kryesor të Milanit me një notë të dobët, 5.5: “Në mbrëmjen e “Halloween”, Piatek kishte zgjedhur të vishej si fantazmë”.

Nga ana tjetër, “Quotidiano.net” shkruan se portieri i Spal quhet Etrit Berisha dhe e vendos theksin shumë në këtë pjesë, pasi sipas tyre nuk pati asnjë rast të vështirë përgjatë 90 minutave, pavarësisht asaj që pritej.

“Berisha. Ky është emri i portierit të Spal. Jo sepse ai ishte më i miri në fushë dhe meriton lëvdata të veçanta, por sepse praktikisht asnjëherë nuk u provua në 90 minutat e lojës. Fitorja ka mbërritur por, përtej rezultatit, nuk ka asnjë lajm tjetër të shkëlqyeshëm”. /Sport Ekspres/