Irani i rrethuar, Nike nuk e furnizon me këpucë për Kupën e Botës

Nëse ka një skuadër që mund të quhet realisht fatkeqe dhe e persekutuar në Kupën e Botës 2018 ajo është Irani.

Skuadra e futbollit kërkon të përfaqësojë në mënyrë dinjitoze vendin e vet, por politika i fut hundët kudo. Konflikti i Iranit me Amerikën bën që tashmë kombëtarja të mbetet pa këpucë.

Kompania që furnizonte Iranin, Nike, ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me Kombëtaren e Iranit, për shkak të sanksioneve politike. “Sanksionet e vendosura nga USA ndaj Iranit detyrojnë një kompani amerikane si Nike që të mos pajisë me këpucë kombëtaren e Iranit”, deklaron Nike.

Një hall më shumë për trajnerin portugez Karlos Keiroz, i cili në javët e fundit ka parë t’i anulohen gjithë miqësoret, me përjashtim të një takimi kundër Lituanisë, edhe ai me dyer të mbyllura.

“Nuk është korrekte që të ndryshojmë këpucët një javë para ndeshjesh kaq të rëndësishme, lojtarët po mësoheshin me këpucët e Nike”, shprehet për ESPN Keiroz, i cili e drejton Iranin prej vitit 2011.

Pa pasur shumë kohë për të gjetur furnitor të ri, Irani ka lejuar lojtarët të gjejnë ndonjë zgjidhje emergjence, duke u marrë këpucë shokëve të skuadrave përkatëse, apo duke i blerë personalisht.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *