Inzagi i ka orët e numëruara, Bolonja piketon zëvendësuesin

Humbja e thellë në shtëpi kundër Frozinones mund t’i japë fund aventurës së Filipo Inzagit në stolin e Bolonjës. Ish-sulmuesi i famshëm ka regjistruar vetëm dy fitore në 21 ndeshje dhe rezultati poshtërues 0-4 ka vulosur gjithçka.

Presidenti Xhoi Saputo u shpreh pas ndeshjes se “Bolonja tregoi mëshirë” dhe ka vendosur të bëjë ndryshime në stol. Superpipo është i larguar sipas mediave italiane dhe në orët e ardhshme pritet vetëm zyrtarizimi i shkarkimit të tij.

Kanadezi ka nisur tratativat me Sinisha Mihajloviç, i cili e ka drejtuar dhe më parë Bolonjën. Agjenti i trajnerit serb gjendet në Bolonja dhe palët kanë arritur akordin. Saputo do t’i ofrojë Mihajloviçit një kontratë deri në fund të sezonit, me opsion rinovimi për 1-2 vite të tjera.

Marrëveshja pritet të bëhet zyrtare shumë shpejt, ndërsa trajneri i ri ka paraqitur kërkesat e tij: një mbrojtës, një organizator dhe një sulmues krahu. Kohë nuk ka, por drejtuesit do të bëjnë të pamundurën për t’i plotësuar dëshirat.

Kjo nuk është hera e parë që ish-mbrojtësi zëvendëson Inzagin, pasi në vitin 2015, Milani zgjodhi Mihajloviçin si pasues të Inzagit në stol.

Bolonja renditet në vendin e 18-të me 14 pikë dhe vazhdon luftën për mbijetesë, që për momentin është vetëm tre pikë larg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *