Inzagi “arratiset” pas kupës, Tare e Lotito: Nuk e lëshojmë!

0

Lacio arriti një triumf të madh një natë më parë, teksa triumfoi në finalen e Kupës së Italisë përballë Atalantës, duke e fituar për herë të shtatë në historinë e saj trofeun.

Gjithsesi, klima që ka mbizotëruar në ambientet e bardhekaltërve nuk ka qenë edhe fort e qetë, kjo lidhur me faktin se e ardhmja e trajnerit Simone Inzagi është vënë shpesh në pikëpyetje. Pas përfundimit të finales, numri një i stolit të Lacios foli për mediat, ku në momentin që u pyet mbi të ardhmen nuk dha një përgjigje.
“Bëmë një ndeshje të mirë dhe të jep sadisfaksion të madh, kur e mbyll në një mënyrë të tillë këtë rrugëtim. E kërkuam dhe e deshëm këtë Kupë, tani na duhet ta shijojmë. E ardhmja? Faleminderit për pyetjet.”

Gjithsesi, më i drejtpërdrejtë ishte presidenti Lotito, i cili u shpreh i qartë mbi të ardhmen e Inzagit. “Nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje. Do të vazhdojë të jetë trajner i Lacios.”
Gjithashtu, përveç Klaudio Lotitos, foli edhe ish-lojtari i Kombëtares tonë, Igli Tare, i cili foli qartë: “Inzagi qëndron te Lacio dhe për këtë gjë nuk ka dyshime. Do të flasim në ditët e ardhshme për rinovimin e kontratës.”

Simone Inzagi ka qenë i lidhur me një kalim të mundshëm edhe te Milani, ku është përfolur si një pasardhës i mundshëm i Xhenaro Gatuzos.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.